Atifete Jahjaga nuk ftohet në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë - NACIONALE

Atifete Jahjaga nuk ftohet në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk është ftuar në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Jahjaga që ishte presidentja e parë grua në rajon, ish-eprore në Policinë e Kosovës, nuk ka marrë pjesë për këtë forum.

Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar edhe Bleona Hajdari, këshilltare në “Jahjaga Foundation”.

“Presidentja Jahjaga këtë vit nuk ka pranuar ftesë për Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet në përgjigje.

Nacionale e ka pyetur edhe Presidencën pse nuk është ftuar Jahjaga, por nuk ka marrë përgjigje.

Forumi mbahet sot dhe nesër.

Paradite, Osmani priti delegacionet nga vende të ndryshme.

Ceremonia zyrtare e hapjes së Forumit u mbajt nga ora 10:00.

Në këtë forum është lajmëruar të jenë mbi 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete.

Reagimet në të kaluarën për raportet Osmani-Jahjaga, kishin qenë për tema të ndryshme.

Për një skaner të cilin e kishte siguruar ish-presidentja Jahjaga, ishte shkaktuar shumë zhurmë në Kosovë.

Një skaner që ka vlerën mbi një milion euro që kishte shkuar në Klinikën e Mjekësisë Nukleare të QKUK-së, erdhi si donacion pas bashkëpunimit të Fondacionit Jahjaga të presidentes Atifete Jahjaga dhe Fondacionit Filantropik Alwaleed në Riyadh të Arabisë Saudite.

Në ceremoni, e pranishme ishte natyrisht vet ish-presidentja, por edhe ajo aktuale, Vjosa Osmani. Shumë bujë i dha kjo e fundit në rrjete sociale këtij rasti, megjithatë, s’e falënderoi atë që ishte njëmend meritore.

Siç njoftoi më herët Jahjaga, falë bashkëpunimit të këtyre dy fondacioneve, sot ka arritur skaneri për të cilin, qytetarët kanë udhëtuar jashtë shtetit për të marrë diagnostifikimet e nevojshme.

“Jam e bindur se ky është vetëm fillimi i shumë arritjeve të tjera që do të realizojmë së bashku! Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë.” – shkroi mes tjerash ish-presidentja.

Foto duke prerë shiritin, postoi edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani. Pranë saj, shihej edhe Jahjaga, megjithatë, në asnjë prej rreshtave të postimit të saj, nuk e falënderon ish-presidenten.

Kjo, kishte shkaktuar reagime të shumta, jo veç nga opinionistë e politikanë, por edhe në disa komente poshtë postimit të saj:

“Falemnderit presidentes Atifete Jahjaga”.

“Zonja Presidente, një falenderim i madh shkon për Presidenten Jahjaga për punën e saj të madhe që kemi diçka të tillë sot”.

“Faleminderojme Ish Presidenten Atifete Jahjaga dhe donatorin per kete donacion. Kurse ju vazhdoni ti perdorni meritat e te tjereve per fushata elektorale”

Ndërkohë, ndër të parët që reagoi me një status mbi këtë, ishte analisti Imer Mushkolaj. Ai vuri në pah se në postimin e saj, Osmani s’e përmend fare Jahjagën.

“Ta kemi të qartë: skanerin e sofistikuar, i cili sot iu dhurua QKUK'së, e ka siguruar presidentja Atifete Jahjaga nëpërmjet fondacionit të saj. Shumë po më intereson a e ka falënderu presidentja Vjosa Osmani Jahjagën, me emër dhe mbiemër dhe duke e shiku n'sy, për këtë donacion? Në postimin në Facebook nuk e kish përmend hiç.” – ka shkruar ai.

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka shkruar po ashtu disa fjalë për ish-presidenten Jahjaga:

“Përkundër goditjeve të ulta, Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk është bërë pjesë e betejave të imta. Përkundrazi, ka qenë gjithmonë përbashkuese. Falemnderit Presidente Jahjaga që vazhdon të jesh shembull i dashurisë pa kushte për Kosovën”.

Lajme të ngjashme