Asociacioni sonte i troket Kurtit në derë, Escobar e Lajçak ia mësyejnë Prishtinës e Beogradit - NACIONALE

Asociacioni sonte i troket Kurtit në derë, Escobar e Lajçak ia mësyejnë Prishtinës e Beogradit

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Dy herë “urgjent themelojeni Asociacionin”, tha Emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur në BBC World Service, dhe atë në një linjë të radios me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nuk shkëmbyen asnjë fjalë me njëri tjetrin. Escobar sot bashkërisht udhëton për në Prishtinë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe në orën tetë të mbrëmjes priten në Zyrën e Kryeministrit. Kjo, në një kohë tensionesh në Veri dhe refuzimesh të kërkesave amerikane dhe evropiane nga Albin Kurti. Asociacioni troket sonte në derën e Kurtit...

Tashmë, pas ngjarjeve në pjesën veriore të vendit që nga dërgimi ne një aparaturë të tërë forcash policore të tre kryetarëve të rinj (legal, por jo legjitimë) shqiptarë në objektet zyrtare komunale, Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe është kthyer jo vetëm në kërkesë por edhe ultimatum. “Do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet me Kosovën”, lëshoi paralajmërimin Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ditë më parë.

Escobar, dje në BBC lëshoi tri kërkesat që ShBA ia ka dërguar Kurtit, ndërsa shpjegoi se ato për kryetarët teknik “na janë flakur tutje” nga qeveria kosovare: Të tërheq kryetarët nga ato ndërtesa komunale; të heq policinë kosovare nga ndërtesat komunale; e më pastaj urgjentisht, urgjenisht, të niset puna drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Kurti, megjithatë, në BBC i ra toneve të një politikani se nuk do të bëjë kompromise me, siç e frazoi, “Republikën demokratike” dhe se “nuk ua dorëzoj milicisë fashiste” të paguar nga Beogradi. Megjithatë, Asociacionin e ka të pranuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, ndonëse ende provon të qëndrojë në atë se ajo nuk mund t’i paraprijë tërësisë së marrëveshjes. Kërkesat e BE’së dhe ShBA’së megjithatë, pas ngjarjeve në veri, kanë rrotlluar këtë hesap. Kosova tashmë prakitikisht ndodhet nën sanksione amerikane: mosangazhimi me shtetet jo-njohëse të BE'së dhe shtyrja e anëtarësimit të Kosovës në organizata evropiane/ndërkombëtare (që praktikisht bllokon/ngrin Nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit për mospengimin e Serbisë, duke mos mbështetur Kosovën ShBA'ja dhe BE'ja); kësisoji (po ashtu prakitikisht) duke ia hequr nga dora argumentin se Serbia shkeli Nenin 4.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, bashkërisht me Kancelarin Federal Gjerman, Olaf Scholz dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në një takim në Kishinau të Moldavisë, do ta ftonin Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për t’ia artikuluar tri kërkesa në formë të ultimatumit: Menjëherë zgjedhje të reja në veri, garantim i pjesëmarrjes së serbëve, dhe nisja e menjëhershme e punës drejt themelimit të Asociacionit. Dështimi për t’i përmbushur këto, i ra borisë Bashkimi 27 shtetësh Evropian, “do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona me Kosovën”.

Tashmë tonet ishin ndryshe. Bashkimi Evropian kaherë shprehej se nuk kishte mekanizma ndëshkues për Kosovën sa i përket mosthemelimit të Asociacionit të Komuanve tlë banuara me shumicë serbe. Por, tashmë, po.

Asociacioni, aty ku kishte mbetur...

Para ngjarjeve në veri, Asociacioni kishte mbetur në fazën e parë formale të paraqitjes së një Draft-Statuti nga Ekipi Menaxhues, të cilin pala kosovare e hodhi posht në plotni si në themel “anti-kushtetues” dhe si “dëshirë e zjarrtë për një Republikë Serbe në Kosovë”; me ç’rast, si kundërpeshë, do të prodhonte një, siç e quante Kurti, “draft-Vizion” të frymëzuar nga modeli kroat për pakicën serbe.

Gabriel Escobar, kaherë e kishte lënë të kuptohej, se Marrëveshja e Ohrit nis e bëhet realitet me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Edhe vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare “ishin serioze”, u pati thënë ai gazetarëve në një konferencë online për media. Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar tha se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes. Andaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboroi ai. Sepse ky Asociacion, u shpreh i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.

Duke folur javë më parë për agjencionin malazias të lajmeve "Mina" diplomati amerikan tha se "nuk sheh arsye" që deri në fund të verës implementimi i marrëveshjes të mos konkludohet. Sa i përket palës serbe, janë disa elemente që ajo duhet t'i përmbush: "njohja e tabelave të regjistrimeve, letërnjoftimet dhe disa gjëra tjera", u shpreh ai. Kosova, ndërkaq, duhet të formojë Asociacionin. "Më vjen keq, kjo nuk është pritshmëri. Është obligim", tha Escobar.

Qëndrimet e palëve rreth sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes kanë mbetur në një ngërç të ri: Serbia, në njërën anë, që insiston që nuk i nënshtrohet obligmeve të zbatimit të marrëveshjes pa u themeluar Asociaconi – dhe, Kosova, në anën tjetër, që insiston që zbatimi të nis në tërësi pa u vënë (para)kushte në pjesë të caktuara të marrëveshjes siç është Asociacioni ose në atë që “binari i parë” duhet vendosur me pjesën e njohjes “de facto” për të vendosur njëkohësisht “binarin e dytë” që është Asociacioni ose Neni 7.

Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, ka thënë Gabriel Escobar.

Lajme të ngjashme