“Asociacioni, pasojat, nënshkrimi”: Çka thanë Lajçaku e ambasadori gjerman për dialogun mes Kurtit e Vuçiqit? - NACIONALE

“Asociacioni, pasojat, nënshkrimi”: Çka thanë Lajçaku e ambasadori gjerman për dialogun mes Kurtit e Vuçiqit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy njerëz të fuqishëm dje e sot kanë folur në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Njëri nga folësit ishte vetë lehtësuesi Miroslav Lajçak, i cili tregoi ca prapaskena nga dialogu mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Alexandar Vuçiq, president i Serbisë. Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, është personaliteti tjetër që foli për dialogun, duke u treguar qartë në lidhje me të ardhmen e marrëveshjes evropaine, ashtu siç njihet plani franko-gjerman.

Natyrisht, të dy këta diplomat nuk harruan ta përmendin Asociacionin. Kryegjermani në Kosovë, pra ambasadori Rohde, e ripërsëriti një fakt tashmë të etabluar, se Asociacioni nuk do të jetë Republikë serbe. Madje, ai foli edhe në emër të katër ambasadorëve të tjerë të Quintit, pra të ShBA-së, Britansië, Francës e Italisë, duke thënë se Asociacioni është një obligim i trashëguar nga qeveritë e kaluara.

“Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi.” – tha ai.

Për Asociacionin dje foli edhe Lajçaku, duke treguar se mbi tavolinën e tij aktualisht janë 16 modele evropiane, të cilat po analizohen për të zbatuar mëpastaj marrëveshjen mbi Asociacionin.

“Kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund t'iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën.” – tha z. Lajçaku, lehtësuesi i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, z. Rohde foli edhe për pasojat e mundshme për Kurtin e Vuçiqin, ndonëse nuk i përmendi me emër. Ambasadori gjerman vlerësoi se do të ketë pasoja për palët jokonstruktive.

“Natyrisht do të ketë konsekuenca për palën që nuk tregohet konstruktive. Mirëpo, ne nuk kemi arsye të dyshojmë në seriozitetin e palëve, që të hënën në Bruksel u zotuan se e pranojnë këtë plan. Prandaj, presim që të dëshmohet vullnet politik për të hyrë në detaje të zbatimit të tij, sepse ne duam që më në fund të kemi një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë të tillë që e pamë një vit e gjysmë e këtej, duke rrëshqitur nga një krizë në tjetrën.” – theksoi ai për RTK-Radio.

Në fjalimin e tij në Atlantic Council, z. Lajçak u tregua goxha i hapur, duke rrëfyer edhe një prapaskenë gjatë takimit të 27 Shkurtit, ku u diskutua marrëveshjen evropiane, të cilin plan Kurti propozoi të nënshkruhej.

Gjersa po tregonte këto prapaskena, Lajçak deklaroi se përgjigja e BE-së për këtë gatishmëri të Kurtit ishte e qartë. Sipas tij, nënshkrimi do të ishte një “nxitim”.

“Kryeministri Kurti propozoi që të formalizohet pajtimi, por reagimi ynë ishte se kjo do të ishte nxitim për shkak se marrëveshja nuk është gjë e vogël…” – ka thënë Lajçak.

Kujtojmë që në lidhje me marrëveshjen evropiane është mbajtur edhe një diskutim i gjatë në mesnatë në Kuvendin e Kosovës, e ku pushteti e opozita u përplasën ashpër.

Lajme të ngjashme