Asociacioni, KiE, veriu: Çfarë thanë Rohde, Orav dhe komandanti i KFOR-it? - NACIONALE

Asociacioni, KiE, veriu: Çfarë thanë Rohde, Orav dhe komandanti i KFOR-it?

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ambasadori i Zyrës së BE-së, Aivo Orav dhe komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani kanë shkruar nga një opinion në numrin festiv të Kohës. Në shkrimet e tyre, ata kanë pasur disa mesazhe të qarta për Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës. Çfarë tha kjo treshe?

Le të fillojmë nga ambasadori Rohde. Në shkrimin e tij, Rohde ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës varet nga Kosova.

Obligimi ligjor për themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili po ashtu ekziston prej shumë vitesh, nuk është përmbushur ende. Për shkak se Kosova nuk donte që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte statutin për një asociacion të tillë, të hartuar nga Bashkimi Evropian, shumica e votave të shteteve anëtare e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u rrezikua seriozisht. Vendimi u shty vetëm për të shmangur një humbje të mundshme. Është një përrallë që ne dhe miqtë tanë nuk duam që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. E kundërta është e vërtetë” – ka shkruar Rohde.

Tutje, Rohde ka vlerësuar se askush nuk kërkon që Kosova të krijojë një asociacion të komunave që nuk i plotëson kushtet kushtetuese.

I takon vetë vendit që të ndërmarrë hapin e guximshëm që kërkohet për ta bërë këtë dhe të paraqesë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga BE-ja. Propozimi është shqyrtuar intensivisht nga ekspertë të ndryshëm për të përcaktuar pranueshmërinë ligjore dhe realizueshmërinë e tij politike. Megjithatë, çdo rezervë kushtetuese për një projekt kaq themelor është sigurisht legjitime. Askush nuk do të kërkojë që Kosova të krijojë një asociacion të komunave që nuk i plotëson kushtet kushtetuese. Pikërisht për këtë kemi gjykatat kushtetuese: ato dhe vetëm ato janë autoriteti përfundimtar për të mbrojtur kushtetutat tona”, ka shkruar ai.

Ndërsa Orav ka sugjeruar që Kosova duhet ta “shfrytëzojë plotësisht Planin e Rritjes, të zbatojë Agjendën e Reformave dhe të afrohet më shumë me BE-në”. Në shkrimin e tij, Orav ka përmendur edhe çështjen e veriut të Kosovës.

Si partneri tregtar, investitori dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën, BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e vet të reformave…Me këtë frymë, BE-ja do të dëshironte gjithashtu të shihte një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veriun e Kosovës, të shihte një vend ku të gjitha komunitetet të jetojnë krah për krah, të sigurt, të ndihen të përfaqësuar siç duhet nga ata që janë në detyrë, si dhe të marrin kujdesin e duhur nga shërbimet e tyre publike” – ka shkruar Orav.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral major Enrico Barduani ka vlerësuar se “misioni i KFOR-it mbetet jetik si kurrë më parë”. Komandanti i KFOR-it e ka përmendur edhe sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

“Gjatë këtij viti jemi përballur me sfida të mëdha, duke përfshirë sulmin e fundit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Zubin-Potok. Secilën herë ne jemi testuar, por përmes gatishmërisë dhe vendosmërisë sonë, si dhe bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat e sigurisë së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve” – ka shkruar Barduani.

Tutje, ai ka treguar se KFOR-i është në mbështetje të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Rruga drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë qëndron në dialog dhe bashkëpunim. NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja. Kjo është korniza për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, gjë që është çelësi për stabilitet të qëndrueshëm. Për të ecur përpara, është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese” – ka shkruar Barduani.

* Fotografia e ballinë është nga arkiva.

Lajme të ngjashme