Ministrisë së Financave i bëhet thirrje urgjente për zhbllokimin e "sistemit të pagesave të zyrtarëve financiarë"
Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave që t'u mundësojë komunave të Deçanit dhe Vitisë qasje sa më të shpejtë në sistemin e pagesave të zyrtarëve financiarë. Dafina Cacak, drejtoreshë per buxhet dhe financa në komunën e Deçanit, ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur "për shkak të obligimeve aktuale ndaj urdhrave përmbarimore në shumën prej 877,688.90 euro, që rrjedhin nga obligimet e kontratës kolektive (punëtorët arsimorë dhe shëndetësorë)."
"Që nga mesi i mujit korrik 2024, Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT, ka bërë mbylljen e qasjes në sistem të pagesave të zyrtarëve financiarë të komunave të Vitisë dhe Deçanit për shkak të obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive për arsim dhe shëndetësi, dhe që për këto komuna është një shqetësim i madh dhe një shumë e pa përballueshme për buxhetet komunale", - thuhet në reagimin e AKK-së.
Sipas Asociacionit të Komunave, bëhet fjalë për “shumë milionëshe” e cila ka bllokuar në tërësi punën në këto komuna.
Në reagim është shprehur “shqetësim i thellë” me veprimin e Ministrisë së Financave, ndërsa është bërë thirrje që ekzekutivi qendror të gjej një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje.
"Vlerësohet që kjo shumë është milionëshe. Kjo mund t’i ndodhë edhe komunave të tjera në të ardhmen. Komunat kërkojnë që Qeveria të bëjë zgjidhjen e pagesave për kontratë kolektive sepse Ministritë janë nënshkruese të kontratave kolektive e jo komunat.
Andaj, si Bord i Asociacionit të Komunave të Kosovës shprehim shqetësim të thellë dhe kërkojmë gjetjen e zgjidhjes sa më parë nga Ministria e MFPT për këtë çështje, sepse edhe po të bëhet anulimi i të gjitha projekteve të pa tenderuara, komunat nuk munden t’i mbulojnë as gjysmën e këtyre mjeteve", thuhet në reagim.
AKK i ka kërkuar MFPT-së që komunave t’u lejohet qasja në sistemin e pagesave të zyrtarëve financiarë.
"Poashtu, kërkojmë nga ministria përkatëse që sa më parë, të i lejoj komunat të kenë qasje në sistemin e pagesave të zyrtarëve financiarë, sepse një gjë e tillë është e pa drejtë dhe ka bllokuar në tërësi punën dhe projektet që janë duke u zhvilluar e poashtu edhe pagesat që duhet të bëhen në afat të caktuar", thuhet më tej.