Asnjë fjalë: Heshtja e çuditshme e Krasniqit dhe Abdixhikut për takimin e 2 majit në Bruksel
Takimi i tetë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq , ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe me gjerë. Pajtimi i palëve në Bruksel për deklaratën e të pagjeturve dhe mospajtimi për çështjen e Asociacionit, është komentuar në mënyra të ndryshme nga profesorë, diplomatë, analistë dhe përfaqësues të opozitës.
Deri me tani për këtë takim nuk kanë reaguar vetëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Heshtja e dy liderëve opozitarë është parë në mënyrë të çuditshme.
Ndoshta kjo është hera e parë që këto dy personalitet nuk reagojnë ndaj një takimi të rëndësishëm të kryeministrit Kurti në Bruksel.
Deri me tani, reagimi i PDK-së dhe LDK-së ka qenë në nivel të nënkryetarëve.
Pas takimit në Bruksel, e para që ka reagua ka qenë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ujdinë për të pagjeturit e kishte cilësuar si skandaloze.
“Kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik. Shqetësuese se si bëhet barazimi palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit, të cilat prova gjoja gjenden nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve. Kjo Deklaratë përfundimisht e liron Serbinë nga përgjegjësia ndërkombëtare për zhdukjen me dhunë të individëve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) kurse Kosovën e gjuan në rolin e palës që ka kryer krime në mënyrë institucionale, njëjtë sikur Serbia. Skandaloze”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Në të njëjtën ditë kishte reaguar edhe Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së.
Sipas tij, përmes kësaj deklarate Serbisë i është ofruar një lloj amnistie për krimet e luftës.
“Nuk do të thoja barazim, por një lloj amnistie. Po flasim për 1600 persona të zhdukur dhe Kosova ka marrë një obligim që afër 600 persona të komunitetit serb, romë pak dhe disa shqiptarë etnikë që kanë bashkëpunuar me okupatorin që janë në listën e të zhdukurve, të hapë arkivat dhe t’i gjen e të ofron informacion,”- është shprehur Haziri për Tëvë1.
Debati bartet në Kuvend
Reagimet e opozitës për Deklaratën për të Zhdukurit që është miratuar në Bruksel kanë vazhduar edhe në Kuvend.
Në seancën e sotme, deputetët e PDK-së dhe LDK-së kanë kritikuar qeverinë se përmes kësaj deklarate kanë amnistuar Serbinë për të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për ujdinë e arritur në Bruksel rreth deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në seancën e sotme në Kuvendit, ajo ka thënë se kryeministri Kurti e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve.
Ajo i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të iu kërkoj falje familjarëve të të pagjeturave.
“Më 2 maj, në Bruksel rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është baraspeshuar, duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit i cili e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve. Sot kam zgjedhur të jem zëri i tyre dhe uroj këto minuta të na mjaftojnë për të dëgjuar diçka për dhimbjen dhe pritjen mbi 20-vjeçare të familjarëve. Sot do të doja kryeministri të ishte këtu dhe t’u kërkonte falje të pagjeturve”, ka thënë Hoxha.
Deputetes se PDK-së i ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Nënshkrimi i Deklaratës për të Zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive. Obligohet të mos pengojë gërmimet, siç ka ndodhur në vazhdimësi. Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Më pas, në foltoren e Kuvendit, ajo ka lëshuar një audio-incizim të ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili kishte thënë se për krime lufte nuk do ta dënonte askënd.
“Për krime lufte s’e kisha dënu asnjë njeri. Kisha bë amnisti. Sepse për mua çmimi më i madh për luftën është liria dhe pavarësia”, thoshte Kuçi në audion e lëshuar.
Duke e komentuar këtë audio, ministrja Haxhiu ka thënë se qasja e PDK-së ishte amnistimi i krimeve serbe.
“Këtë qasje e ka ndjek PDK-ja, këtë qasje e ka ndjek edhe Hashim Thaçi. Po të mos ishte adresuar nga mediat dhe opozita e asaj kohe, ka pasur përpjekje për amnistimin e krimeve”, është shprehur Haxhiu.
Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ujdinë e fundit në Bruksel.
Në adresimin e tij, Selmanaj ka thënë se Kosova i ka mundësuar Serbisë që të mos ketë përgjegjësi penale e juridike.
“Me dakordimin e deklaratës për të zhdukurit, Kosova i mundëson Serbisë që të heq përgjegjësinë penale juridiko-shtetërore për zhdukjet e dhunshme sipas Nenit 2 të Konventës së OKB-së” – ka thënë Selmanaj.
Deputeti Semanaj, i ka reaguar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, duke kritikuar ish-qeverinë e LDK-së për këtë temë.
“Sa i përket Deklaratës së Personave të Pagjetur apo Zhdukur me Forcë. Kjo është deklarata që është dakorduar në Bruksel më 7 shtator 2020 nga ish-kryeministri Hoti. I ka vetëm shtatë fjali, gjashtë prej tyre që tregojnë se kush do të jetë kryesues i Komisionit, kur do të bëhet puna. Zero brengë edhe skjarime për atë se sa i rëndësishëm është problemi i personave të pagjetur. Dhe e ka titullin “Missing Persons” – ka thënë Bislimi.

