ASH: Çmimi për shërbime mjekësore për kosovarët do të jetë i njejtë si për shtetasit tanë
Deri sa Kosova vazhdon t’i ketë raportet e tensionuara me aleatet nderkombëtar, një lajm i mirë i ka ardhur nga vendi fqinj, Maqedonia e Veriut, i cili ka të bëjë më shërbimet shëndetësore. Së shpejti kosovarët do të mund të paguajnë tarifa më të ulta për trajtimet mjekësore në këtë shtet, njoftojnë nga koalicioni qeverisës.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sot në konferencë për 100 ditët e kësaj partie në Qeveri, ka thënë se së shpejti do të mundësohet që shtetasit e Kosovës të paguajnë tarifa të njëjta si shtetasit e Maqedonisë së Veriut në shërbime shëndetësore.
“Do të sigurojmë 20 ambulanca për institucionet shëndetësore në vend dhe në fund jam i lumtur të iu njoftoj se vëllezërit tanë nga Kosova nuk do të paguajnë më shuma astronomike për shërbime shëndetësore në Shkup. Tarifat për shtetasit e Kosovës do të jenë të njëjta sikur ato për shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Taravari.
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut
Besnik Hamiti, shefi i kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Mexhiti, tha se janë duke bërë nivelizimin e shërbimeve shëndetësore për shtetasit e huaj.
Në një përgjgije për gazetën Nacionale, Hamiti tha se shumica e pacienteve të huaj në Maqedoninë e Veriut janë kosovarë.
“Për momentin jemi në mbledhje të të gjitha vendimeve të këshillave të Institucioneve shëndetësore, në mënyrë që t'i urdhërojmë në nivelizimin e sherbimeve shëndetesore për të huajtë (që ne shumicë janë Kosovarë, ndersa në spitalin e dializes në Strugë, vijnë nga Shqipëria) në Maqedonineë e Veriut. Këtë ndryshim kemi planifikuar ta finalizojme gjatë Korrikut të këtij viti”, tha Hamiti.
Tutje, ai tha se nuk kanë një numër të saktë se sa pacientë kosovarë trajtohen në shtetin e tij.
“Sa i takon numrit të sakta, do mundohemi te sigurojmë këtë të dhënë, edhepse për shkak të mos-digjitalizimit të sistemit në disa institucione, ndoshta do na duhet pak kohë për të marrë numrat e saktë”, tha ai.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore
Ju kujtojmë, se qindra-mijra kosovarë kërkojnë mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas këtij Fondi numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore në vitin 2022 ishte 1 mijë e 14 persona.
“Numri i pacienteve të cilat kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin tyre jashtë institucioneve shëndetësore për periudhën Janar- Nëntor 2022, është: 1014”, thuhej nga Fondi për lajmi.net.
Ndërsa për Radion Evropa e Lirë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës kishte njoftuar se numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike të Kosovës në vitin 2021, ka qenë 1,124, ndërsa shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara ka shkuar në gati 10 milionë euro.

