“Asgjë tragjike” në marrëdhëniet Kurti-Rama, thotë Vjosa Osmani: “Angazhohem të tejkalojmë mospajtimet"
“Nuk e shoh si tragjike”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur u pyet në Tiranë për marrëdhëniet e brishta ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Në qëndrimin e saj zyrtar në Shqipëri, Vjosa Osmani, tha se si presidente e vendit “angazhohet” që të tejkalohet “çdo lloj mospajtimi që mund të ekistojë” në relacionet Prishtinë-Tiranë.
Në konferencë të përbashkët me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, Osmani tha se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë “të shkëlqyeshme” teksa shtoi se “mund të fuqizohen edhe më shumë”.
“Herë i quajmë vëllazërore, por mua më pëlqen t’i quaj relacione mes motrash, sepse është relacioni më i sinqertë që ekziston”, tha presidentja.
“Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë, natyrisht, siç e përmendëm, mund të fuqizohen edhe më tej. Mund dhe do ta rrisim koordinimin mes nesh”.
“Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim para në këtë qëllim të përbashkët, atë që ju e përmendët si diskutime apo acarim”, u shpreh Presidentja e Kosovës, duke u përgjigjur për marrëdhëniet Kurti-Rama.