Arrestohet personi që kërcënoi ekipin e Nacionales dhe hulumtuesin e Betimi për Drejtësi
Është arrestuar Arianit Idrizi, personi i cili kërcënoi ekipin e Gazetës Nacionale, gazetaren Eriola Cacaj, kameramanin Drilon Namani, si dhe hulumtuesin e Betimi për Drejtësi, Flamur Kabashi. Idrizi, kërcënoi brenda ambientit të Gjykatës, derisa u shpall në kërkim nga policia, pasi nuk ishte gjetë në shtëpinë e tij.
I njejti është arrestuar këtë të martë, dhe është dërguar në ndalim 48-orësh.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i përgjithshëm, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet A.I, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Kanosje nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dyshohet se më datën 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore që ishte duke u zhvilluar në ambientet e Gjykatës në Viti, i dyshuari A.I iu drejtohet ekipit të Gazetës Nacionale dhe monitoruesit të Betimi për drejtësi, në formë kërcënuese, me veprime konkludente, siç dokumentohen edhe nëpërmjet videoingjizimit të kamerës.
Pas Autorizimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, për veprime hetimore, me që i dyshuari ishte i paarritshëm, i njëjti ishte vendosur në kërkim policor dhe me datë 03.02.2026 është arrestuar, ku pas intervistimit të tij, me vendim të Prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë, për veprën penale Kanosje nga neni 181 i Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan brenda afateve ligjore, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale do të vendos për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.