Arrestohen kryeinspektori Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku
Pas intervistimit që nisi mëngjesin e sotëm nga hetuesit e Krimeve Ekonomike, është arrestuar kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku.
Me vendim të Prokurorisë, Nikçi dhe Shalaku janë dërguar në paraburgim për 48 orë.
Nacionale ka raportuar ekskluzivisht sot për intervistimin e Hekuran Nikçit dhe Naim Shalakut, që është menaxher i Burimeve Njerëzore në Inspektoratin e Punës dhe ishte emëruar kundërligjshëm në këtë pozitë nga Nikçi.
Nikçi dyshohet për tri vepra penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë”.
Ndërkaq, Shalaku dyshohet për dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së". - thuhet në njoftim.
Nacionale do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet e radhës.