Arrestohen dy persona, dyshohen se provuan ta bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në Speciale - NACIONALE

Arrestohen dy persona, dyshohen se provuan ta bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në Speciale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arrestuar Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një komunikate është e bërë e ditur se Bahtjari dhe Januzi janë arrestuar nën dyshimin për lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale.

Ndër të tjera, ata dyshohen që u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara.

Z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara.” - thuhet në komunikatë.

Gjithashtu bëhet e ditur se ata janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalin para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesë të paarsyeshme.

Lajme të ngjashme