Arrestohen 9 zyrtarë të doganës e policisë në veri, dyshohen për korrupsion
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me Doganën e Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një aksion në veri të vendin, ku janë arrestuar tetë zyrtare të doganës dhe një zyrtar policor.
Sipas njoftimit për media nga Dogana e Kosovës nëntë personat e arrestuar dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Doganën e Kosovës, dhe mekanizmat relevantë, është zhvilluar një aksion për kontroll në njëmbëdhjetë lokacione, i cili është mbështetur nga Policia e Kosovës. Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë (9) zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Marrja e ryshfetit”. – thuhet në njoftimin e Doganës.
Ndër të tjera në njoftim u bë e ditur se dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor.
Gjithashtu në aksion janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin që nëntë zyrtarët kanë qenë të përfshirë në veprat e dyshuara.
“Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë 9 zyrtarë, tetë 8 nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen. Po ashtu, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si: Njëzet (20) plomba zyrtare të Doganës së Kosovës, dhjetë (10) telefon së bashku me katër (4) sim kartela, një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek.” – thuhet në përfundim.
Për këtë aksion detaje fillimisht kishin dhënë edhe nga Policia e Kosovës.
Veton Elshani, ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë në veri, ka konfirmuar aksionin e Policisë së Kosovës, ku në fillim policia me asistimin e Doganës kanë filluar basistjen e katër lokacioneve në veri.
“Jemi duke asistuar Doganën në katër lokacione në veri në kuadër të hetimit të tyre.” – deklaroi Elshani.
Detaje për aksionin dhanë edhe nga Prokuroria, ku zëdhënësi Ekrem Lutfiu, ka treguar se aksioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Sipas tij, dyshimet janë për kryerje të veprave të ndryshme penale.
“Ju njoftojmë se aksioni është duke u zhvilluar ne urdhër të Prokurorisë Speciale, për veprat penale korrupsioni, marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.” - ka thënë Lutfiu për gazetën “Insajderi”.
Policia e Kosovës nga orët e mëngjesit është duke e zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku ka bastisur disa lokacione.
