Apeli ende pa vendim – prokuroria, avokatët dhe 40 mijë veteranët jetimë në pritje
Ka një konsensus të gjerë shoqëror që UÇK-ja nuk i kishte 60 mijë veteranë. Sidoqoftë, krerët e UÇK-së bashkë me njohës të saj vazhdojnë të mendojnë se çlirimtarja e vendit nga okupatori serb nuk i kishte më shumë se 20 mijë. Kjo i bën ‘jetimë’ 40 mijë veteranë të njohur nga shteti. Për një çështje të tillë janë akuzuar 12 anëtarët e komisionit, por si po rrjedh procesi, e mësoni në këtë artikull.
Më 19 janar 2021 u shpallën të pafajshëm. Por, 12 ish-anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit, ende nuk ka vendosur në ankesën e Prokurorisë për vendimin nga shkalla e parë. Pavarësisht se kanë kaluar gati 1 vit e tre muaj që nga shpallja e aktgjykimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare të pafajshëm u shpallën: ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Të gjithë, të akuzuar se keqpërdorën detyrën duke manipuluar me listat e veteranëve.
Por aktgjykimin e pafajësisë të marrë nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e kundërshtoi Prokuroria duke u ankuar në Gjykatën e Apelit. Më 25 maj 2021 ankesa e Prokurorisë ishte pranuar nga Apeli, dhe për t’u marrë me këtë lëndë ishte caktuar gjyqtari Bashkim Hyseni. Gati 1 vit nga pranimi i ankesës, kjo instancë gjyqësore nuk ka marrë ende një vendim për rastin e njohur si “Veteranët”.
Gazeta Nacionale për një javë ka pritur për një sqarim nga Gjykata e Apelit rreth kësaj çështje, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur. Përgjigje gazeta nuk mori as pas insistimit të kontaktojë nëpërmjet telefonit me zyrtarë të ndryshëm të Gjykatës së Apelit.

Pret prokurori – presin avokatët
Përderisa Apeli nuk ka marrë vendim, pritja mbetet i vetmi opsion. Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka thënë për gazetën Nacionale se ky rast është stërzgjatur. Megjithatë, ai nuk ka pranuar të japë shumë detaje.
“Jemi në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit. Është stërzgjatur pak. Pyetjen është mirë me ua bë atyre. Ka raste kur vonohen në Apel, por për këtë rast ata i kanë arsyet e veta që unë nuk i di”, u shpreh Gashi.
Shumë detaje për këtë rast, nuk kanë as avokatët. Arianit Koci, avokat i Shkumbin Demaliajt, shprehet i bindur se edhe Apeli do ta vërtetojë pafajësinë e klientit të tij.
“Jemi në pritje, unë besoj që do të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë. Aktgjykimi i shkallës së parë ka qenë i bazuar dhe i ligjshëm”, ka thënë Koci për Nacionalen.
Të tepërt vonesën nga Apeli për rastin “Veteranët” po e quan edhe Ramë Gashi, avokat i Agim Çekut.
“Nuk kemi pranuar ende asgjë. Apeli duket se nuk ka vendosë. Shumë kohë është bërë, megjithatë nuk e di arsyen pse s’ka vendim”, u shpreh Gashi për Nacionalen.
Ngjashëm është përgjigjur edhe Tahir Rrecaj, avokat i Nuredin Lushtakut.
“Hala nuk ka vendim. Për vonesa pyeteni Gjykatën e Apelit. Ka kaluar shumë kohë e gjatë që kemi dorëzuar përgjigjen në ankesë, dhe është përgjegjësi e tyre pse ende nuk kanë vendosur”, deklaroi avokati Rrecaj.
Ajo që mund të evidentohet lehtësisht në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, është se vendimi i fundit që e ka marrë gjyqtari i ngarkuar me rastin “Veteranët”, Bashkim Hysni, daton më 18 nëntor 2021.
Gjykimi në rastin “Veteranët”
Në aktakuzën për manipulime me listat e veteranëve, ishin përfshirë 12 persona, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në gati 70 milionë euro.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Pas vendimit që 12 të akuzuarit të shpallen të pafajshëm, kishte reaguar edhe prokurori Elez Blakaj që fillimisht ishte marrë për këtë rast. Madje, “kërcënimet” që i erdhën nga veteranët, Blakaj tha se e detyruan të largohet drejt Amerikës.
“Si është e mundur që asnjë provë materiale e këtij rasti, e në veçanti asnjë audio-inçizim nuk rrjedhi në publik, në ndonjë portal apo gazetë, ashtu siç bënin në fillim të këtij procesi me fabrikimin dhe publikimin e listave, emrave e të dhënave personale, duke nxitur urrejtje të skajshme në adresën time për hetimin e këtij rastit, me qëllim që përgjegjësit të “amnestohen” dhe fshihën nga kjo përgjegjësi! Pse nuk ka asnjë rezultat për hetimin e atyre të cilët kanë orkestruar, ndihmuar, dhe publikuar kundërligjshëm te dhënat personale të mijëra personave, të cilët sot janë të rrezikuar sa herë që udhëtojnë në vendet fqinje! E po kjo për ironi ta kujton atë shprehjen e famshme “Nëse ke prova dërgoj në Prokurori”!!!”, kishte shkruar Blakaj pas vendimit të gjykatës për pafajësinë e 12 të akuzuarve në rastin “Veteranët”
Deri në fundin e vitit 2021, gazeta Nacionale ka mësuar se janë ngritur më shumë se 40 aktakuza ndaj rreth 85 personave për falsifikim të dokumenteve, me të cilat kishin përfituar statusin e veteranit të luftës.
Nga të dhënat që ka siguruar gazeta Nacionale, në periudhën janar-shtator të vitit 2021, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë rreth 50 milionë euro për veteranët e luftës. Pensioni për ta është 170 euro.