AP: ShBA e siguron Kosovën se nuk e lejon krijimin e një minishteti me shumicë serbe - NACIONALE

AP: ShBA e siguron Kosovën se nuk e lejon krijimin e një minishteti me shumicë serbe

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Gjatë ditës se djeshme u prezantua një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sot u mbajt takimi për modalitetet e themelimit të Asociacionit i organizuar në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Kosova është më afër se kurrë implementimit të marrëveshjes se formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të nënshkruar rreth një dekadë më parë në Bruksel.

Ngjarjet e fundit kanë marrë natyrshëm vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare. Gjiganti mediatik,Associated Press, i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit që karakterizuan vendin lidhur me përshpejtimin e hapave për themelimin e Asociacionit.

AP ka shkruar për deklaratën e këshilltarit special të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin krijimin e një mini-shteti me shumicë serbe në Kosovë - si ai në Bosnje – gjerësa Uashingtoni përpiqet të bindë Kosovën që të pranojë një asociacion të diskutueshëm.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.” - tha pas takimit ambasadori amerikan Jeff Hovenier, shkruan APP.

Më tej, mediumi shkruan se Prishtina heziton të pranojë formimin e Asociacionit, nga frika se do të rezultojë në formimin e një minishteti, të ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Një pjesë e përkthyer e artikullit të Associated Press:

Prishtina ka hezituar të pranojë krijimin e Asociacionit, nga frika se kjo mund të çojë në krijimin e një minishteti – si Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinën multi-etnike.

Ambasadori i kërkoi Prishtinës “të ofrojë vizionin e saj për një Asociacion që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si një shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave”.

“Kjo është kritike, e rëndësishme dhe urgjente”, shtoi ai, duke ofruar gjithashtu “ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që të funksionojë në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”.


Të hënën, këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, botuan një shkrim si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për të promovuar "një marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës".

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin gjatë javëve të fundit për të inkurajuar të dyja palët të pranojnë një propozim të ri për të dy vendet për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të rritur ofertat e tyre për anëtarësim në BE.

Disa qindra shqiptarë të Kosovës mbajtën një protestë kundër Asociacionit.

“Ne nuk jemi kundër serbëve, as komunitetit ndërkombëtar, por jemi kundër asociacionit, i cili nuk do ta lejonte zhvillimin e Kosovës”,
tha protestuesi Rudi Berisha.

Themelimi i Asociacionit është rënë dakord në Bruksel në vitin 2013, dhe detajet në një marrëveshje tjetër në vitin 2015 dhe janë miratuar në parlamentin e Kosovës. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë e konsideroi atë jokushtetuese, sepse nuk përfshinte etni të tjera dhe mund të kishte kompetenca ekzekutive.

Një dialog Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka vazhduar që nga viti 2011, por pak nga 33 marrëveshjet e nënshkruara janë zbatuar.

Lajme të ngjashme