Antena M: Presidentja Osmani (nuk) është në listën e të ftuarve për ceremoninë e Millatoviqit - NACIONALE

Antena M: Presidentja Osmani (nuk) është në listën e të ftuarve për ceremoninë e Millatoviqit

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tash e disa ditë po përgatit listën e personave të ftuar për inaugurimin e tij në Podgoricë që mbahet më 20 maj. Pyetja më e madhe është: a do të ftohet presidentja Vjosa Osmani?

Mediumi Antena M, shkruan se emri i presidentes Osmani nuk është në listën e të ftuarve.

Ky medium thotë se e ka pyetur dy herë partinë nga e cila rrodhi presidenti Millatoviq nëse presidentja e Kosovës do të ftohet por nuk ka marrë përgjigje.

Por, dihet deri tash se ftesë ka marrë presidenti serb Aleksandër Vuçiq, të gjithë anëtarët e presidencës serbe, presidenti maqedon Stevo Pendarovski dhe presidenti kroat Zoran Millanoviq.

Osmani kishte qenë për vizitë në Podgoricë dhe u mirëprit me ceremonitë më të larta shtetërore nga presidenti në largim Millo Gjukanoviq.

Nacionale ka kontaktuar me z. Bekim Kupina nga Presidenca e vendit, por i cili edhe pse e ka parë mesazhin nuk ka kthyer përgjigje.

Për dallim nga Gjukanoviqi, megjithatë presidenti në ardhje Jakov Millatoviq është parë me shumë brengë në Kosovë.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, kishte shprehur “brengë dhe shqetësim të madh” për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, ku në raundin e dytë garuan pikërisht Millatoviqi dhe Gjukanoviqi.

“Do t’i përcjell me ethe si asnjëherë më parë,” – kishte deklaruar ai, duke u shprehur mes tjerash edhe se fitorja e Millatoviqit mund ta çonte Malin e Zi drejt trajektores për t’u zhdukur si komb.

Shënim: Siç raporton mediumi Albanian Post, me anë të burimeve, lajmi i botuar nga Antena M i kanë thënë se "nuk është i saktë" nga ekipi i Millatoviqit.

Lajme të ngjashme