Anëtarja e Bordit të RTK-së mban ligjerata për gazetari: Faktet janë të shenjta - kërkova marrjen e masave
Anëtarja e Bordit të RTK-së, Arta Berisha, ka reaguar pas raportimit skandaloz të transmetuesit publik, i cili sulmoi rëndë gazetën Nacionale e Periskopin.
Ajo në shkrimin e saj është lëshuar në aspektin profesional duke shpejguar se si duhet të bëhet gazetaria, teksa nuk ka konsideruar që shkrimi nuk do të duhej të publikohje e transmetohej.
“Si anëtare e Bordit të RTK-së e kam konsideruar të papranueshme publikimin e lajmit të pambështetur në fakte në webfaqen e RTK-së dhe në edicionin e lajmeve qendrore dje. Në gazetari faktet janë të shenjta ndërsa aktiviteti i verifikimit të informatave është proces që i ka mundësuar gazetarisë të mbijetoj. Sinqerisht, arsyeja e problemeve në gazetari sot veçanërisht atë që bëhet vetëm online është mungesa e fakteve.” – është arsyetuar ajo.
Tutje, ajo ka thënë se ka kërkuar marrjen e masave.
“Këtë qëndrim e prezantova edhe sot në mbledhjen e Bordit te RTK-së dhe kërkova nga Ushtruesja e Detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme marrjen e masave duke qenë se publikimi i lajmeve pa fakte është në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Pjesën tjetër të analizës pres ta trajtoj me seriozitet komisioni i brendshëm.” – ka thënë ajo.
Berisha është mburrur me punën e Bordit të RTK-së, që sipas saj, “ka bërë rrugë të gjatë në deinstrumentalizimin e RTK-së dhe rivendosjen e parimeve profesionale”.
