Anëtarit të VV-së "i qeshet" me arsyen arrestimit të Mujkës: Edhe unë i kam 50 mijë euro në banesë
Fatmir Hasani, anëtar i degës së Vetëvendosjes në Mitrovicë, citohet të ketë deklaruar se i ka 50 mijë euro në banesën e tij.
Sipas “Express”, ai ka deklaruar që i është qeshur me arrestimin e zyrtarit të VV-së, Faruk Mujka, i dyshuar për korrupsion, e të cilit po ashtu iu gjetën 60 mijë euro.
“Ajo është për m’u qesh. Unë i kam 50 mijë euro në banesë...Ndoshta Faruku ka pasë edhe projekte të tjera. Unë nuk e di, por 60 mijë euro mund t’i kesh. Nuk janë 100 mijë a 200 mijë.” – citohet të ketë thënë ai.
Po ashtu, Hasani ka thënë se këto para, i ka siguruar pas punës 20 vjeçare në Londër.
Ndërkohë, dyshimet e prokurorisë janë se Mujka veprën e ka kryer sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, e cila asokohe udhëhiqej nga Agim Bahtiri i VV-së.
“Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës." - është thënë në njoftimin e Prokurorisë.
Më herët, Mujka ka mbajtur edhe pozitën nënkryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Ai është vetëm zyrtari i dytë i lartë i VV-së, që arrestohet për korrupsion.
Më 19 prill të këtij viti, për të njëjtën vepër është arrestuar edhe ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili në Vetëvendosje për disa vite kishte drejtori Komitetin për Energji.
Prokuroria kishte treguar veprat për të cilat dyshohet Krasniqi.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘Konflikti i interesit’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ishte thënë në komunikatë.
