Anëtari i Bordit të RTK-së mohon informacionet perëndimore për qendrën ruse të spiunazhit në Nish: S`ka fakte, janë vetëm pretendime
Anëtari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ka mohuar informacionet e vendeve perëndimore se Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish është qendër e spiunazhin rus.
Ndonëse kjo bazë është bërë shpesh qendër e mosmarrëveshje në mes të Serbisë dhe Perëndimit, ai pretendon se ato janë vetëm pretendime dhe se nuk ka fakte se baza në fjalë është qendër e spiunazhit.
Duke u munduar ta arsyetonte RTK-në për publikimin e lajmit të rrejshëm të Slobodna Bosna, i cili akuzonte dy media në Kosovë se financohen nga Serbia, ai thoshte se edhe mediat e mëdha botërore botojnë pretendime.
Në procesverbalin e mbledhjes së bordit, mbajtur me 23 korrik, të cilin sot e ka publikuar gazeta Nacionale, Beqiri thotë se edhe lajmi i Sllobodna Bosnës është pretendim.
“Në secilën media botërore sot lexojmë disa pretendime në ditë se si përgatiten sulme për sulme bërthamore, lexoj pretendim se si Rusia është duke përgatitur disa vatra krizë në Ballkan, fakte nuk ka por janë thjeshtë pretendime. Lexoj se si qendra Ruse në qytetin e Nishit është qendër e spiunazhit por fakte ende asnjë media nuk ka ofruar, pra është pretendim. A ka pretendime nga shtetet kur janë armike për të ndikuar në media të tjetrit shtet? Po në çdo vend të botës ka, pra po flasim për një botë jo normale por në një botë ku lufta hibride ka zënë vend me të madhe. Tjetra është që nga drejtori i televizionit na vjen informacioni që ky lajm ka ardhur nga instancat e sigurisë, unë pajtohem me znj. Fatime Lumi Qehaja që në radhë të parë është institucioni i RTK-së por kur është siguria kombëtare në pyetje jo institucioni por edhe individi subkordinohet shteti dhe siguria kombëtare është sipërore”, ka thënë Beqiri.
Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish është qendër e spiunazhin rus shpesh ka qenë pikë e përplasjes së Serbisë me BE-në dhe ShBA-të.
Madje, vitin e kaluar, Komisioni Evropian i ka kërkuar shpjegim Beogradi për këtë bazë përmes një raporti.