Anatomia e ‘kërcënimit’ të presidentes Osmani ndaj presidentit të Francës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka befasuar opinionin publik me disa fjalë të ashpra ndaj presidentit të Francës Emmanuel Macron. Cila është anatomia e këtyre fjalëve?
“Më habit qëndrimi i Francës, si mund të sillet kaq indiferent ndaj lirisë së një populli,” – i tha Luigj Gurakuqi, Ismail Qemalit në karrocen me kuaj. Të paktën kështu i tha në filmin “Nëntori i Dytë”. Por, edhe pse film, ata po flisnin mes vete. Jo në publik para gazetarëve.

Njëqind e njëmbëdhjetë vjet më vonë, presidentja Vjosa Osmani do t’i rifrazonte këto fjalë të Gurakuqit ndaj Francës me një ashpërsi që do ta çonte edhe drejt kërcënimit.
Përsëri Franca. Përsëri një politikan i pakënaqur shqiptar me ta. Përsëri liria e një populli. Fatmirësisht, kësaj here s’kishte karrocë me kuaj.
Kërcënimi
Vjosa Osmani i tha këto fjalë të rënda sot:
“Paralajmërimin e Francës për rikthim të regjimit të vizave i cili pritet të hiqet më 1 janar, unë do të thoja që kjo është mënyra më efektive për ta vrarë dialogun njëherë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të vijojë e të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre,”
Pra, nëse më 1 janar qytetarët e Kosovës nuk e kanë liri për të udhëtuar në zonën Schengen pa regjimin e vizave atëherë... nuk do të ketë më dialog. Ai do të ‘vritet’.
Deri tash, askush nga Vetëvendosje nuk ka guxuar që ta bëjë një kërcënim të tillë ndaj Francës. Apo edhe ndaj ndonjë partneri tjetër të Kosovës. Vjosa Osmani, presidente, ishte e para që e bëri një hap të tillë. I vogël për të, por i madh për Kosovën.
Presidentja Osmani nuk ka qenë aq e zëshme në kohën e sanksioneve dhe qortimeve që i erdhën Kosovës nga miqtë e saj më të mëdhenj. Dhe, nëse dikush ka menduar që Osmani – që me forcë mbështeste partneritetin me ShBA-të dhe vendet e BE-së dikur – nuk pajtohet me Kurtin sa i përket veriut e sanksioneve... u dëshmua ta ketë plotësisht gabim.
Para disa muajsh, me një pasion gati të ngjashëm me atë që shprehu sot në denoncimin e paralajmërimit të presidentit të Francës ajo i kishte thënë këto fjalë:
“...dhe mos e harroni një gjë, jo vetëm një shtet si Kosova por edhe një shtet shumëfish më i madh që i ka 70-80 milionë banorë – e që është anëtar i BE-së e i NATO-s - sot varet nga përkrahja që ia japin miqtë e aleatët. Finlanda, Suedia, Norvegjia, të gjithë sot shkojnë e kërkojnë përkrahje ndërkombëtare. Janë – disa prej tyre janë në BE, disa prej tyre janë në NATO – por akoma shkojnë në Shtetet e Bashkuara dhe e kërkojnë përkrahjen. Ose shkojnë në aleanca tjera.”
Si u bë që presidentja e një shteti nën sanksione të BE-së dhe nën qortime të ShBA-ve të shprehej me gjuhë aq të ashpër ndaj Francës? Eh, jetojmë në një periudhë të çuditshme. Masat ndëshkuese aktuale të BE-së ndaj Kosovës nuk janë miratuar vetëm nga Franca, por nga të gjitha 27 vendet anëtare. Prandaj, këto deklarata përbëjnë një moment të ri e të rrezikshëm politik marrë parasysh dallimet serioze në interpretim mes Kosovës dhe BE-së.
Presidentja Osmani vazhdoi tutje në deklaratën e saj duke i dalë në mbështetje të plotë Qeverisë së Kosovës se masat ndëshkuese të BE-së ishin të padrejta.
“Pra, unë pres që gjatë shtatorit, pas këtij takimi (në nivel kryeministrash në Bruksel), ku Kosova do të ketë sërish qëndrim konstruktiv sikurse gjithmonë, Bashkimi Evropian do të konstatojë se janë plotësuar kërkesat e veta sa i përket deeskalimit dhe pastaj do të plotësohen të gjitha kushtet sa i përket çështjes së masave të cilat edhe ashtu kanë qenë të padrejta dhe joproporcionale në raport me Kosovën...” – u shpreh ajo.
Presidentja u shpreh se këto kërkesa veçse ishin plotësuar. Dhe se, tash mbetej veç të konstatohej një gjë e tillë.
Çka na thotë e gjithë kjo?
Se presidentja Osmani është në radhët e para të mbrojtjes së kryeministrit Albin Kurti. Dhe se s’ka masë që si duket mund ta ndërrojë një realitet të tillë. Kush po mbron raportet e Kosovës me miqtë e saj atëherë? Në këtë pyetje duhet të përgjigjen qytetarët e Kosovës.
