Anatomia e dy statuseve plot vrer të Dejona Mihalit: Akuza ndaj LDK-së, sulm ndaj bizneseve
Dejona Mihali, koordinatore e fuqishme e Lëvizjes Vetëvendosje, është aktivizuar gjatë kësaj jave. Në dy shkrime të ndryshme, Mihali ka pasur në shënjestër Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përveç LDK-së, “kosa” e lapsit të Mihalit i rroku edhe dy biznese dhe një biznismen nga Peja. Çka shkroi Mihali, e fuqishmja e VV-së?
Megjithatë, të dy statuset kanë diçka të përbashkët: ato shënjestërojnë LDK-në, e cila akuzohet në mënyrë të mjegullt për lidhje me biznese të ndryshme. Le të fillojmë nga statusi më i freskët, i publikuar para dy orëve.
Statusi i parë: Abdixhiku, Devolli…
Statusi i fundit i Mihalit është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është krejt vrerë ndaj Lumir Abdixhikut, kryetar i LDK-së, të cilin e ka akuzuar për “tyxharllëk” dhe “sekserllëk”. Në këtë shkrim, Mihali e ka kritikuar të djathtën e Abdixhikut, duke e ndërlidhur me “sekserllëk" për "shitje shtëpish te biznesi i çunave të 'Marigona'".
“Abdixhiku paska folur për t'ju kthyer traditës. Cilës traditë se? Me siguri traditës së pazareve për koalicione me PDK-në dhe Listën Serbe.
Po ashtu e djathta asgjë nuk ka të bëj me Lumir Abdixhikun e enturazhin e tij. Sepse e djathta asnjë lidhje nuk e ka me tyxharët. Të djathtë nuk të bën sekserllëku për shitje shtëpish te biznesi i çunave të 'Marigona'. E aq më pak përpjekja për mbështetje okulte nga Shkëlqim Devolli e instrumentet e tij” – ka shkruar Mihali.
Ndërsa në pjesën e dytë të statusit të parë, i cili po analizohet këtu, Mihali ka lavdëruar disa figura të pushtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, të cilën e ka quajtur “shkëlqësi”.
“E djathtë e qendrës është shkëlqesia e saj Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani Sadriu. Një kampione e së djathtës është Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla Schëarc.
E djathtë liberale është kryetarja e grupit parlamentar të mazhorancës aktuale në Kosovë znj. Mimoza Kusari Lila. Të djathtë të qendrës e liberalë janë dhe ministra, zëvendësministra e deputete e deputetë të nderuar të mazhorancës.
I djathtë është deputeti, doktor Haxhi Avdyli” – ka shkruar ajo.
Statusi nr. 2: Bajrami, Riga Pharm
Para tri ditëve, Mihali u mor me një figurë tjetër të LDK-së. Përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook, Mihali bëri një akuzë në drejtimt të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Mihali e ndërlidhi pa ndonjë fakt Bajramin me një biznes të respektuar kosovar, Riga Pharm.
“Hykmete Bajrami, mundet të japë sqarime deri diku të besueshme për çmimet e barnave dhe kontabilitetin e bie fjala Riga Pharm. Për të tjera çështje i ka ikur treni prej kohësh” – kishte shkruar Mihali, ndër të tjera.
Në lidhje me këtë status, Bajrami ka paralajmëruar padi ndaj Mihalit.
“Zonja Mihali, shihemi në gjykatë
Tash po dihet adresa e saktë e shpifjeve dhe fushatave kundër meje. Dhe, jam e lumtur që nga nëntoka doli dhe tash e di adresen e shpifjeve, që bëhen që tri vite.
Unë do të ushtroj padi ndaj zonjës Mihali për shpifje. E di që nuk e ka problem të shpifë zonja Mihali por le të vendosë gjykata mbi pretendimet e saj. Le t'i prezantojë faktet për çfarëdo që ka për mua prej fabrikave të armëve e deri te kompanitë farmaceutike” – kishte shkruar Bajrami.
Rrugën ligjore është duke e menduar edhe vetë Riga Pharm.
“Me keqardhje kemi vënë re deklaratat e fundit të znj. Dejona Mihaili, të cilat përmbajnë pretendime të pabazuara dhe të pasakta lidhur me pronësinë e kompanisë sonë, Riga Pharm.
Këto shpifje jo vetëm që dëmtojnë reputacionin tonë si një kompani farmaceutike e përkushtuar, por edhe minojnë besimin në sektorin privat dhe klimën e biznesit në Kosovë…
Ne do shqyrtojmë të gjitha opsionet ligjore për të mbrojtur emrin dhe reputacionin tonë, të krijuar me ndershmëri dhe djersë për më shumë se 11 vite” – kishte shkruar kjo kompani.