Analizë e Reuters-it: S’ka marrëveshje të madhe, paktit të BE-së për Kosovën i humb ca shkëlqim
Vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian trumbetoi një marrëveshje mes udhëheqësve të ish-armiqve në kohë lufte, Serbisë e Kosovës, duket se të gjitha palët pajtohen për një gjë mbi të gjitha: ato ende, në të vërtetë, nuk kanë një marrëveshje.
Pas organizimit të bisedimeve mes presidentit serb, Aleksander Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të hënën se ishte i kënaqur që të njoftonte se ata “janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të mëtejmë” për një propozim të BE-së për t’i vënë marrëdhëniet e tyre në një rrugë drejt normalizimit.
Borrelli e tërhoqi vërejtjen se palët ende duhej të pajtoheshin për një aneks për zbatimin e planit, por shërbimi diplomatik i BE-së vazhdoi përpara dhe e publikoi tekstin e marrëveshjes themelore atë natë, duke i kontribuuar një ndenje të një momenti të rëndësishëm.
Çfarëdo marrëveshjeje për normalizimin e lidhjeve mes Beogradit dhe Prishtinës do të ishte një shtytje për ambicionet e BE-së për t’u bërë lojtare më e madhe gjeopolitike dhe do ta ulte rrezikun për dhunë të përtërirë mes dy fqinjëve ballkanikë.
Megjithatë, teksti nuk është nënshkruar nga udhëheqësit dhe tashmë është bërë e qartë se asnjëri nga lojtarët kyçë nuk e sheh atë si gjë të kryer.
“Të dyja palët janë pajtuar për një pozicion të tillë (që të mos vazhdohet diskutimi për tekstin themelor), por kjo nuk nënkupton që palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit nga të dyja palët”- tha të enjten Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Vuçiqi theksoi të martën se nuk do të nënshkruajë asnjë tekst derisa të jetë i kënaqur me aneksin. Ai deklaroi, gjithashtu, se nuk do të nënshkruajë asgjë me të cilën njihet Kosova “formalisht apo joformalisht” dhe se nuk do të pajtohet kurrë për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, gati një dekadë pas luftës që e solli përfundimin e pushtetit serb. Megjithatë, Serbia ka vazhduar që ta cilësojë Kosovën si provincë të ndarë dhe tensionet mes dy palëve kanë nxitur tensione për kthimin e konfliktit.
Udhëheqësit tani ballafaqohen me presion të përtërirë ndërkombëtar për t’u pajtuar për tërë marrëveshjen, kur të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, kur BE-ja edhe një herë do të jetë edhe një herë tjetër lehtësuese.
Plani i BE-së nuk e bën Serbinë të përkushtuar për të njohur një Kosovë të pavarur, por ajo do t’ia njihte dokumentet, si pasaportat, diplomat dhe targat dhe nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
Çështje e vështirë
Zyrtarët thonë se çështja më e vështirë për t’u trajtuar në bisedimet për zbatimin e aneksit, është një asociacion i propozuar i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Udhëheqësit e shumicës etnike shqiptare në Kosovë kanë argumentuar se një organ i tillë do t’i jepte Beogradit një ndikim shumë të madh në vendin e tyre, përderisa serbët thonë se asociacioni nevojitet për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.
Kurti tha të martën se nuk do të pajtohej me asnjë organ zyrtar që e shkel kushtetutën e Kosovës, që është mono-etnik ose që i jep Serbisë “një urë” për të ndërhyrë në punët e Kosovës.
Pavarësisht nga theksimi i vijave të kuqe të tyre, Vuçiqi dhe Kurti duket se po lënë hapësirë për manovrim.
Përderisa Vuçiqi thotë se nuk do ta njohë as “joformalisht” Kosovën, një definicion i tillë është përfundimisht çështje interpretimi.
Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në OKB, vetëm anëtarët e Këshillit të Sigurimit, të cilët kanë të drejtë të vetos, mund ta bllokojnë aplikimin. Aleatja tradicionale e Serbisë, Rusia, do të mund ta pengonte Kosovën, por Beogradi nuk do të mund të vendoste vetëm se a i bashkohen fqinjët OKB-së.
Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, zyrtarë nga BE-ja dhe Shtetet nga Shtetet e Bashkuara – të cilat, gjithashtu, u kanë bërë presion Beogradit e Prishtinës për të arritur një marrëveshje – këmbëngulin se ky organ mund të themelohet ligjërisht dhe pa i dhënë Serbisë ndikim të tepruar.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha se një marrëveshje e plotë do të ishte përfundimtare, vetëm “kur edhe ne të dimë saktësisht se si do të zbatohet, brenda çfarë afatesh, nga kush”.
“Ky dokument – siç qëndron, pa pjesën e zbatimit – është një deklaratë politike dhe ne kemi pasur shumë në të kaluarën që nuk janë zbatuar”- tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Ky zyrtar tha se të dyja palët kanë bërë përparim të konsiderueshëm, por se “kilometri i fundit është gjithmonë më i vështiri”.
Raportuan: Andrew Gray në Bruksel, Fatos Bytyçi në Prishtinë dhe Aleksandar Vasoviq në Beograd



