Analisti nga Shqipëria: Kurti po e çon Kosovën drejt ndarjes, s’bëhen dot burrështetas
Analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj veriut të Kosovës.
Ai ka thënë se me veprimet e fundit kryeministri i Kosovës rrezikon ndarjen e veriut.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai e ka ftuar shefin e qeverisë kosovare të besoi më shumë te aleatët.
“Kurti duhet t’i besojë më shumë SHBA-së... e të jetë më në akord me QUINT-in sepse vendi i Kosovës është në BE. Frika ime më e madhe është që Kurti po e çon Kosovën drejt ndarjes së veriut. Kam frikë që po shkohet drejt ndarjes së Kosovës dhe për këtë më vjen shumë keq sepse të paktën zoti Kurti përkrah asaj që mendon për sovranitetin dhe shtrirjen e shtetit të Kosovës, por Kosova ka autoritetin në veri. Edhe kur kontrolloheshin komunat nga serbët dogana i derdhte detyrimet te shteti. Dhe dogana është shteti. Siç mendon për autoritetin, duhet të mendosh edhe për diskriminimin pozitiv të serbëve duke i konsideruar ata si banorë tu sepse janë të tillë”, ka deklaruar Andoni.
Sipas tij, Kurti për interesa të ngushta politike po e keqlexon perëndimin.
“Kurti e keqlexon me dashje Perëndimin sepse po mendon më shumë për interesin e vet politik sesa për të ardhmen e Kosovës. Më vjen keq të them se Kurti dhe Edi Rama në Tiranë treguan se mund të bëheshin liderë, por s’bëhen dot asnjëherë burra shteti. E shqiptarët kanë nevojë për burra shteti në këto momente të historisë”, është shprehur Andoni.