Analist Hoxhës i ngatërrohen forca dhe fuqia, a do të reagojë Ramiz Lladrovci?
Analistit Dibran Hoxha të enjten mbrëma për një çast iu ngatërruan dy nocione të fizikës, që para disa vjetëve ishin bërë virale falë një deklarate të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci – forca dhe fuqia.
Përderisa po fliste për shtetet dhe marrëdhëniet diplomatike mes tyre, Hoxhës i rrëshqiti gjuha.
“Për shembull, unë, si qytetar i thjeshtë dhe aktivist, muj ton ditën, për atë që e thatë, nuk ma përcakton fuqia raportin e forcave… Ëëë, të drejtave” – tha Hoxha, pasi edhe para disa sekondave e kishte përdorur togfjalëshin “raport i forcave”.
Për ta dëgjuar, shikojeni videon nga minuta 33:25.
Para disa viteve, Ramiz Lladrovci kishte marrë vëmendje me një deklaratë që, mësa duket, hynte në fushën e fizikës. Në një intervistë me gazetarin Adriatik Kelmendi në KTV, ai kishte thënë: “Po forca e ban fuqinë, o Adriak”.
Në një intervistë të mëvonshme me të njëjtin gazetar, Lladrovci e kishte mbrojtur teorinë e tij. “E kanë vërtetu edhe fizikantët, edhe shkenca që nuk e kam thanë gabim. Pra, forca e ban fuqinë. Shumë njerëz filluan fillimisht me m’shajtë, duke mendu që edhe forca, edhe fuqia osht e njëjta gja. Nuk është e njëjta gja” – kishte deklaruar Lladrovci, që ende e udhëheq qytezën qendrore të Kosovës.
Më pas, ai dallimin mes forcës e fuqisë ishte përpjekur që ta ilustronte me shembullin e një kamioni dhe një Mercedesi. Për më shumë, mund ta shikoni videon e mëposhtme.