Ambasadori rus në Serbi: Plani franko-gjerman e ka në thelb njohjen - NACIONALE

Ambasadori rus në Serbi: Plani franko-gjerman e ka në thelb njohjen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Botsan-Kharchenko ka bërë një intervistë në të cilën është munduar të ‘qetësojë’ palën serbe se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën, e në anën tjetër ka dhënë komente edhe për planin franko-gjerman.

Ai tha se e mbështet vetëm një zgjidhje që korrespondon me interesat kombëtare të Beogradit, qoftë normalizimi i marrëdhënieve apo qetësimi i krizës aktuale.

Mos-vendosjen e sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë ai e quajti si “sjellje heroike” të presidentit Aleksandër Vuçiq, përcjell Kosovo-Online.

Botsan-Kharchenko u shpreh kategorikisht kundër njohjes së Kosovës, duke i cilësuar si spekulime të dëmshme interpretimet që i bëheshin fjalimeve të presidentit rus Putin kur përmendte Kosovën.

Në lidhje me planin franko-gjerman, ai u shpreh si vijon:

“Ne (Rusia) nuk jemi pjesëmarrës në bisedime dhe mund të krijojmë opinion vetëm në bazë të raportimit të presidentit Aleksandër Vuçiq në parlament dhe në bazë të informacioneve që kanë rrjedhur nga mediat. Për mendimin tim, kjo është një përpjekje e Serbisë për ta gjetur një rrugë të tërthortë që Serbia ta njohë Kosovën dhe të futet në institucione ndërkombëtare, para së gjithash në OKB.

Ai më tej shtoi se thelbi i këtij propozimi ishte njohja dhe nëse do të anëtarësohej në OKB atëherë do të mund të cilësohej si shtet.

Ambasadori rus u pyet edhe nëse Rusia do të votonte në OKB për pranimin e Kosovës në rast se Serbia e pranonte planin franko-gjerman që potencialisht mund të lejonte hyrjen e Kosovës në këtë organizatë. Kjo ishte përgjigja e tij:

“Nuk do të flisja për disa gjëra për të cilat lidershipi i Serbisë, në radhë të parë presidenti, i refuzon. Ai ka dhënë mbështetjen e tij për bisedimet, por ka thënë se mbetet në kuadër të Kushtetutës së Serbisë dhe interesave kombëtare.”

Lajme të ngjashme