Ambasadori Hovenier për rastin “Klan Kosova”: S’është veç çështje biznesi, është çështje e medias
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier u shpreh i shqetësuar për pezullimin e licensës së mediumit “Klan Kosova”, derisa deklaroi se kjo nuk është veç çështje biznesi.
Para gazetarëve, sipas "Ekonomia Online" Hovenier ka deklaruar se kjo është çështje e medias, dhe po adresohet si e tillë.
“Nuk besoj se është mister që ShBA-ja dhe partnerët tonë janë të shqetësuar me deklarimin e QUINT-it të premten, pak orë pas vendimit të suspendohet licenca e biznesit. Ne nuk e shohim këtë si thjesht çështje biznesi. Ne e shohim si çështje të medias, dhe e adresojmë si të tillë.” – tha ai.
Ndërkohë, Hovenier ka deklaruar se liria e mediave është shumë e rëndësishme dhe se Qeveria duhet ta zgjidhë këtë rast sa më shpejt.
“Sipas asaj që ne kemi dëgjuar nga pronarët e Klan Kosovës, se ata kanë dorëzuar dokumente të tjera dhe kurdo që flasim për një Qeveri që vendosë për një media që transmeton apo për çfarëdo veprimi që ka të bëjë me operimin e saj, duhet pasur kujdes të jashtëzakonshëm, sepse liria e mediave është tejet e rëndësishme. Dhe kjo është pikëpamja jonë. Shpresojmë që Qeveria do e zgjidhë këtë rast sa më drejtë, sa më transparent e sa më shpejtë.” – ka thënë tutje ambasadori amerikan.