Ambasadori Guerot: Kurti dhe Vuçiq duhet tregojnë fleksibilitet në takimin e 18 marsit
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të jenë konstruktive në takimin e 18 marsit në Oher, ku pritet të bisedohet për ankeksin e Planit të BE-së.
Ai ka thënë se Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq duhet të tregohen fleksibil në këtë takim.
Në një intervistë për portalin serb“Kossev”, diplomati francez ka thënë se ata nuk duhet të pengojnë marrëveshjen.
“Mesazhi ynë për dy liderët është të tregojnë fleksibilitet. Gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbështesin përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të mos pengojnë përfundimin e marrëveshjes”, ka thënë Guerot.
Ai ka treguar se nga marrëveshja më së shumti do të përfitojnë banorët e komunave veriore.
“Nga marrëveshja do të përfitojnë realisht ata që e vuajnë më së shumti situatën aktuale, pra banorët e komunave veriore. Ne presim që marrëveshja të sjellë një atmosferë më të mirë dhe më pak tension. Përsëri, banorët e Veriut vuajnë më së shumti për shkak të situatës aktuale, me një vakum institucional, i cili mund të çojë në pasiguri”, ka thënë diplomati francez.