Ambasadori francez: Zgjedhje të reja dhe të fillojë puna për Asociacionin - NACIONALE

Ambasadori francez: Zgjedhje të reja dhe të fillojë puna për Asociacionin

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka folur për zhvillimet e fundit në veri dhe mesazhet që janë dhënë nga presidenti francez Macron.

Guerot ka theksuar se mesazhet kryesore ndërlidhen me nevojën për zgjedhje të reja në veri dhe nisjen e punës për Asociacionin.

“Dënojmë dhunën ndaj qytetarëve, gazetarëve, ushtarëve të KFOR-it dhe forcave të rendit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të shmangin çdo lloj dhune dhe të marrin masa për qetësimin e gjendjes. Kjo nënkupton në veçanti pezullimin e veprimeve të pakoordinuara të policisë kosovare pranë objekteve komunale dhe që kryetarët e rinj të ushtrojnë funksionet e tyre nga vende tjera”, tha ai për Telegrafin.

“Kjo nënkupton edhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja dhe sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve. Për të siguruar këtë pjesëmarrje, kjo nënkupton fillimin pa vonesa të mëtejshme të punës për themelimin e asociacionit te komunave me shumicë serbe”, tha ai.

“Zgjidhja e këtij problemi kërkon masa afatshkurtra të përmendura më lart dhe ri-angazhimin e dy palëve në procesin e dialogut me synimin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës e cila garanton sigurinë dhe pjesëmarrjen demokratike të të gjithë qytetarëve dhe i hap rrugën zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin dhe aneksit të saj. Kjo nënkupton veçanërisht fillimin pa vonesa apo parakushte të punës për themelimin e asociacionit”, tha ambasadori francez.

Lajme të ngjashme