Ambasadori finlandez thirrje që të formohen institucionet, kujton situatat globale: “Ato s’presin gjatë”
Ambasadori i Filnandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka kërkuar nga akterët politikë të vendor që të jenë të vëmendshëm ndaj situatave botërore dhe që, në dritën e kësaj, të formojnë sa më parë institucionet e vendit.
Në një intervistë për “KosovaPress”, Nissinen tha se formimi sa më shpejt i institucioneve është i nevojshëm për vendin.
“Së pari, vërtet shpresoj që formimi i institucioneve – institucione funksionale – të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se jetojmë në një situatë globale ku zhvillimet e reja nuk ndalen. Ato nuk presin gjatë që gjërat të formohen.
Gjithashtu, reformat që janë të nevojshme këtu në Kosovë duhet të jenë në gjendje të ecin përpara. Prandaj mendoj se sa më shpejt, aq më mirë. Të kemi një qeveri të re dhe një Kuvend të ri të formuar do të ishte më e mira për popullin e Kosovës”, tha Nissinen.