Ambasadorët “e lidhin” anëtarësimin e Kosovës në KiE me Manastirin e Deçanit: Çka na thanë nga Këshilli?
Ambasadorët në Kosovë së fundi kanë folur në lidhje me aplikimin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Në veçanti, ata kanë vendosur theksin te zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, duke i lidhur këto dy çështje me njëra tjetrën. Çka thanë nga KiE, në anën tjetër?
Javën e kaluar Nacionale raportoi mbi një deklaratë të ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, i cili e shprehu qartë se nuk e sheh Kosovën në KiE pa u respektuar vendimi për Manastirin e Deçanit.
“Tash për tash çdo qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet.” – tha ai për “Kosovo-Online”.
Për të njëjtën çështje, mbrëmë foli edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog pas një takimi me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.
“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit.” – tha ai mes tjerash.
Sharing my 🇪🇺's colleague's concern here as well. Rule of law "à la carte" does neither pave the way towards the @coe nor the European Union!
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) January 24, 2024
Supporting 🇽🇰 on its way of European integration is close to our heart, but Kosovo has to do its part as well. https://t.co/CsyyhJXWGI
Të njëjtin postim, më pas e ripostoi në rrjetin social Twitter edhe ambasadori Rohde.
Për këtë, foli edhe eurodeputetja gjermane, Viola Von Cramon, njëherit raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian:
“Me rastin e Deçanit që nuk zbatohet prej vitesh dhe mungesës së vullnetit politik për të ecur përpara në këtë drejtim, madje edhe kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit të Europës duke u thënë se kjo Qeveri nuk do ta bëjë, nuk ua lehtëson anëtarëve të Këshillit të Europës që të ecin përpara me aplikimin”.
Çka than nga KiE?
Nacionale i është drejtuar me pyetje Këshillit të Evropës, për të mësuar nëse këto dy çështje janë duke u ndërlidhur me njëra tjetren.
Megjithatë, nga ky institucion, na drejtuan te raporti i ekspertëve në lidhje me kandidaturën e Kosovës.
Siç raportoi Nacionale edhe ditë më parë, ekspertët e KiE-së në raportin e fundit, pra të vitit 2023, kërkuan nga autoritet në Kosovë që pa asnjë vonesë të implementojnë vendimin për Manastirin e Deçanit.
“...gjykata vendosi që 24 hektarë të tokës përreth i takojnë Manasitirit të Deçanit. Një vendim i tillë ishte kritikuar nga politikanë, dhe pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, nuk u implementua. Kjo është qartë shkelje e ligjit.” – thuhet aty.

Në fund sa i përket kësaj pjese, thuhej: “Autoritet e Kosovës duhet që pa vonesa ta implementojnë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit”.
Ndryshe, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati ndërprerë sagën 16 vite të gjatë, të një kontesti ligjor, në mes ndërmarjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” në njërën anë, dhe Manastirit mesjetar të Deçanit në anën tjetër.
Kushtetuesja pati vendosur se 24 hektarët e kontestuara i takojnë Manastrit.