“Alo, garantuesja e raporteve Kosovë-ShBA në telefon”: Çfarë dëshmon biseda Osmani-O’Brien?
“Alo, garantuesja e raporteve Kosovë-ShBA në telefon”. Sigurisht se një bisedë e tipit të tillë nuk ka ndodhur mes presidentes Osmani e zyrtarit të lartë amerikan, O’Brien.
Megjithatë, bazuar në deklaratat e së kaluarës nga zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështu do të mund të tingëllonte një bisedë e tillë.
Ditë më parë emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, e quajti presidenten e Kosovës si garantuese e raporteve të Amerikës me Kosovën. Kjo në kohën kur dallimet e përplasjet me Kurtin, janë në kulm.
“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, pati deklaruar Escobar.
Esconbar njoftonte se tashmë me Kurtin ka dështim në komunikim.
“Duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin, nuk është veç ShBA-ja, këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën”, tha ai.
Telefonata me O’Brien
Sigurisht, duke e cilësuar si garantuesen kryesore në Kosovë, ndihmës-sekretari amerikan, James O’Brien nuk kishte se si ta telefononte dikënd tjetër për t’ia treguar kërkesat kryesore të Amerikës ndaj Kosovës.
Ai mbrëmë pati një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Një telefonatë produktive me O'Brien sot. Theksova rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Brukselit”, shkroi Osmani në “X”.
E zyrtari i lartë amerikan pati kërkesa konkrete për dinarin dhe krijimin e Asociacionit.
“Telefonatë e mirë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Diskutuam rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin e pakicës serbe, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e Dialogut të BE-së – për Kosovën kjo përfshin ASM-në.” – tha ai.
Zëvendës Ndihmës Sekreati amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, kishte lëshuar deklarimet më të rënda drejtuar një qeverie kosovare, se po qe se këta të fundit duan të mos e konsiderojnë ShBA-në partnere, e njëjta gjë do të reciprokohet: Mospartneriteti i ndërsjellë.
Këtë deklaratë dhe peshën e saj – për shkak të deformimeve që i bëri pushteti me interpretime stërzbutëse – u desh të del ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ta rivendos në kuptimin real dhe t’ia mbajë formën e cila po provohej të shtrembërohej.