Alibejaj: Do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit
Deputeti i PD-së, Enkeled Alibejaj, ka kritikuar KQZ-në që sot nuk e ka regjistruar PD-në për zgjedhjet e 14 majit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se vendimi i KQZ-së ka qenë i ndikuar politikisht.
Ai ka bërë me dije se PD-ja nuk do të dorëzohet.
“Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së!”, ka shkruar ai.
Alibejaj ka paralajmëruar se PD-ja do ta ndjek rrugën ligjore për regjistrim.
“Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin!”, ka shkruar ai.