“Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës”: Kosova e uron Amerikën për Ditën e Pavarësisë
Liderët institucionalë dhe partiakë sot kanë uruar ShBA-në për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë. Në urimet e tyre, ata kanë përmendur raportet në mes të dy vende, duke theksuar aleancën strategjie me këtë shtet.
Gjithashtu, ata kanë falënderuar SHBA-të për kontributin e dhënë në raport me Republikën e Kosovës.
Ajo që bije në sy është urimi i kryeministrit Albin Kurti në rrjetin social “X”. Aty ai flet për Ukrainën, por nuk e përmend fare Kosovën.
Më pas, në urimin e tij në “Facebook”, ai e ka shtuar një fjali, ku e përmend Kosovën.
“Me 24 qershor 1826, Thomas Jefferson shprehu një dëshirë të fundit: që Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta frymëzonte edhe pjesën tjetër të botës që "t'i thyejë prangat" dhe "të pranojë bekimet dhe sigurinë e vetëqeverisjes". Jefferson vdiq vetëm 10 ditë më vonë, më 4 korrik, në ditëlindjen e 50-të të vetë shtetit të cilin kishte ndihmuar ta themelonte. Gati 200 vjet pas vdekjes së Jefferson-it, ende punojmë palodhshëm për t'ia plotësuar dëshirën e fundit. Deklarata e Pavarësisë e Republikës së Kosovës, e shekullit XXI, përveçse ngjarje politike nga aspirata historike e popullit tonë, është frymëzuar prej të njëjtave ideale në të cilat u bazuan Jefferson dhe bashkëthemeluesit e tij në shekullin XVIII”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe nga Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osman, në urimin e saj e ka vlerësuar lartë aleancën me ShBA-të.
“Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave! Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku! Happy Fourth of July!”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në “Facebook”.
Urime për ShBA-të kanë shprehur edhe liderët opozitarë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur urime të përzemërta për aleatin kryesor të Kosovës.
“Në përvjetorin e 248 të Pavarësisë së SHBA-së, u shpreh urimet e përzemërta stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, Ambasadorit Hovenier, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve amerikanë. Para se gjithash, kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara. Përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga SHBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re - atë të lirisë dhe të zhvillimit”, ka shkruar ai, duke shtuar se vlerat e SHBA-së kanë qenë frymëzim për shumë shtete.
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në urimin e tij ka thënë se për Kosovën ShBA-ja ka qenë dhe mbetet aleat i përhershem.
“Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci. Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike”, ka vlerësuar Abdixhiku.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë.
"Urime Dita e Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Happy Independence Day.”, ka shkruar Haradinaj.