"Albini si Hashimi": Pas “pajtimit” për planin evropian, Kurti krahasohet me Thaçin që e kritikonte
Nuk dihet nëse opozitarit Albin Kurti ia ka marrë mendja se një ditë, do të krahasohet me kundërshtarin më të madh politik të tij, ish-presidentin Hashim Thaçi. Por me zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, kryeministrit i është përmendur një gjë e tillë, madje, edhe nga ish-zëvendësi i tij.
Kryeministri Kurti në pjesën më të madhe të karrierës së tij që prej themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, mbahet mend për kritikat e vazhdueshme për puthuajse secilën çështje, të pushtetarit të atëhershëm, Hashim Thaçi.
Sot vetë qeverisë me vendin, dhe kryeministri Kurti, është parë duke ndërruar disa herë qëndrimet duke përfshirë edhe në një prej çështjeve më të rëndësishme, dialogun me Serbinë.
Albini si Hashimi?
Brenda dy ditëve, dje e sot, Kurti është krahasuar me Thaçin, i cili tashmë ndodhet në paraburgim në Hagë.
Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka publikuar një deklaratë të liderit aktual, dhe ish-liderit.
“Kurti në dialog: “Shumë më mirë është që ne si brez të bartim barrën e të gjitha gabimeve nga e kaluara edhe këtë te mos ua leme atyre qe do te vijne pas nesh” Thaçi në dialog: “Do të ishte e pafalshme që brezave të rinj t’ua lëmë peng të ardhmen” – ka shkruar ai.
Në fund, Shasha ka thënë: “Për çdo politikan vije koha kur duhet të jap fund opozitarit ekzotik për tu bërë burrështetas i përgjegjshëm”.
Por një krahasim me Thaçin, Kurtit ia bëri edhe ish-zëvendësi i tij dikur Haki Abazi, i cili vlen të thkesohet se tashmë i ka ndarë rrugët me shefin e tij partiak.
“Thaçi thikat mbi harta, Kurti thikat pas shpine të bashkëpunëtorëve- në fund Lajçaku fajtori kujdestar, e ne të gjithë figura historike edhe Oliver Ivanoviçi, bashkë me të gjithë krijuesit e shoqërisë multi në Kosovë!” – ka thënë ai në një shkrim të postuar gjatë së shtunës.
Plani evropian
Kurti veç e ka pranuar planin evropian, e madje, është shprehur i gatshëm edhe që të nënshkruajë në takimin e së hënës, por Bashkimi Evropian vlerësoi se kjo do të ishte nxitim.
Me t’u publikuar plani evropian, Kurti u kritikua shumë për pajtimin me dy pika, shtatë dhe dhjetë.
Tek e para, përmendet njëfarë “vetëmenaxhimi për komunitetin serbe”, ndërsa tek e dyta, theksohet qartë se palët duhet t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.” – thuhet në nenin shtatë të planit evropian.
Ndërkaq, neni 10 shkruan si vijon: “Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.”

