Albin Kurti e “lëshon bajrakun”, pas 10 viteve rezistencë e pranon draftin për formimin e “Zajednicës”
Albin Kurti e ka “lëshuar bajrakun” për “Zajednicën”. Pas 10 viteve rezistencë me të gjitha mjetet, ai dje ka treguar se e ka pranuar draftin e ri të BE-së për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Para tri viteve, kryeministri Albin Kurti kritikonte ashpër Ramush Haradinajn, se me të marrë postin e kryeministrit e kishte “lëshuar bajrakun” për Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshjen që e kishin kundërshtuar bashkë si opozitarë.
Në seancën parlamentare, ku Qeveria Kurti I ishte rrezuar me mocion mosbesimi, Kurti ishte zotuar se kurrë nuk do ta bënte veprimin e Haradinajt.
Por, pa kaluar shumë kohë edhe kryeministri Albin Kurti u dorëzuar, duke e lëshuar bajrakun e “Zajednicën”. Pas takimit me liderët evropianë, shefi i ekzekutivit ka bërë me dije se është pajtuar me draftin e propozuar nga BE-ja për formimin e “Zajednicës”.
Në këtë mënyrë, ai i hëngri edhe fjalët që i kishte thënë në Kuvendin e Kosovës, në mars të këtij viti.
Para deputetëve, ai ishte zotuar se me te në pushtet “Zajednica” nuk do të kalonte kurrë.
“Unë e kam të qartë që ju keni qef me ua themelu Zajednicën, por Zajednica nuk kalon. Se Zajednicën e keni pranu ju, më 19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015, qatje e keni bo Zajednicën, por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatu, unë nuk ua zbatojë.”, kishte thënë Kurti.
Madje, në këtë seancë ai kishte përmendur me emra të deputetët që kishin votuar marrëveshjen e vitit 2013.
“Zajednica ka kalu këtu në Kuvend. Zajednica nuk kalon, Zajednica nuk ka kalu në gjykatë, Zajednica nuk ka kalu në popull, Zajedncia as në kryeministri e në Qeveri, por të ju ka kalu. Përfshirë edhe deputeten, se harrova me e përmend, e tash po e kuptoj pse po bën zhurmë. Pra, me datën 27 qershor 2013 edhe deputetja Ganimete Musliu e ka votuar Zajednicën”, kishte thënë thënë Kurti.
Metamorfoza e Kurtit
Duket që kryeministri Albin Kurti ka harruar gjithë kundërshtimin që ka bërë për ta rrezuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ai e kishte quajtur “Zajednicë”.
Ai ka harruar edhe zotimet para deputetëve në mars të këtij viti.
Dje kryeministri e ka pranuar vet se është pajtuar me draftin për formimin e “Zajednicës”.
Pas takimit me liderët evropianë, Kryeministri Albin Kurti ka treguar diçka nga diskutimet që janë bërë në Bruksel.
Në llogarinë e tij në “X”, ai ka shkruar se ka pranuar propozimin e 21 tetorit të sjell nga “pesëshja e madhe” në Prishtinë, por Serbia e ka refuzuar.
“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjen Bazike, Aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”, ka shkruar Kurti.
Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.
“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti për një dekadë e kanë kundërshtuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sa kanë qenë në opozitë, ata kanë organizuar edhe protesta të dhunshme për këtë gjë.
Për të kundërshtuar Asociacionin ata nuk kanë kursyer hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend dhe sulmet me vezë ndaj ish-pushtetarëve. Policia që mbronte kuvendin nga protestuesit ishte sulmuar me koktej mollotovi dhe mjete tjera të forta. Gjatë kohës se protestave kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit Kuvendit i Kosovës ishte sulmuar edhe granatahedhësit.