Që të dy e pranojnë “planin e pesëshes” për Asociacionin, çka (s’)u pajtuan sot Kurti me Vuçiqin? - NACIONALE

Që të dy e pranojnë “planin e pesëshes” për Asociacionin, çka (s’)u pajtuan sot Kurti me Vuçiqin?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një deklarim, së paku, e patën të përbashkët dhe në përputhje me njëri-tjetrin. U pajtuan me planin e ofruar nga “pesëshja e madhe” më 21 tetor për draftin e Asociacioanit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së paku patën një “pikëtakim” në takimin me krerët më të lartë evropianë sot në Bruksel ku u synua “ripërtërirja” e procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë: Planin e ofertuar nga “pesëshja”.

Vuçiqi e quajti “bazë solide” dhe që “i referohet ekskluzivisht Asociaciacionit”.

Kurti – siç ndodh rëndom kur ajo që ka për të thënë është krejt në disfavor të vet – lëshoi një komunikatë për media në faqen në Facebook të Qeverisë së Kosovës ku ka fare pak audiencë, dhe atë e stërmbushu me dykuptimësi njoftimin me pranim implicit që eksplicit duket sikur refuzim.

Aty tha se bëri “ofertë bujare” për zbatimin e obligimeve të ndërmarra qysh në shkurt dhe bashkërisaht me zbatimin e Asociacionit sipas planit të “pesëshes”; por ia mbivendosi kërkesën që për këtë gjë “duhet të nënshkruhet marrëveshja” dhe se “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim...dhe zbatim”.

Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, shkroi Kurti në faqen e Qeverisë së Kosovës..

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër, i përsëriti ato që i ka pasur “vija të kuqe” qysh prej formës fillestare të planit franko-gjerman dhe para konkludimit të saj në Marrëveshje Bazë: se nuk e pranon “pavarësinë e Kosovës as ‘de facto dhe as ‘de jure’” dhe se nuk lejon që Kosovës “t’i hapet rruga për anëtarësim në OKB” kësisoji duke përbërë të pakuptimtë Nenin 4 të marrëveshjes bazike.

Në deklarim para gazetarëve tha se “këto i përsërita dhjetë here” dhe se “nuk ka nevojë të bëhet zhurmë” teksa iu kthye Asociaciacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. E këtu, befasisht, Vuçiqi tha se “është propozim i mirë” dhe se Serbia është e gatshmtë pranojë që Asociacionui të bëhet sipas këtij propozimi.E këtu tha ai, “të gjithë e kanë të qartë se nuk është çështje nënshkrimi por zbatimi i atyre për çka jemi pajtuar”.

Ne kemi folur në takime për të gjitha temat kyçe dhe Serbia ka thënë qartë se dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar. Gjithmonë e kemi theksuar vetëm një gjë, atë që po e përsërisim tash e 10 vjet, që Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin e të ashtuquajturës Kosovë në OKB dhe as të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës”, tha Vuçiqi.

Ne jemi të gatshëm për formimin e Asociacionit sipas propozimit që morrëm (nga pesëshja)”, tha Vuçiq, derisa shtoi se për atë propozim “nuk mund të jap detaje” ngase “kështu jemi marrë vesh” që asgjë nga ai propozim “të mos rrjedhë në publik”.

Nuk është asgjë e re”, tha Vuçiq referuar qëndrimeve të të mbajtura sot para liderëve evropianë rreth “mospranimit” të anëtarësimit të Kosovës në OKB, dhe shtoi se “e kam thënë një vit e gjysmë më parë, para tetë muajsh, dhe tre muaj më parë dhe para disa ditësh”.

Ata duhet të kishin përmbushur gjithçka që është nënshkruar shumë kohë më parë, madje ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë paralelisht. Por e di që nuk do ta përmbushin! Ja, gazetarët nga Prishtina po kërcejnë të gjithë në qafë dhe po shpjegojnë se nuk kanë pse ta përmbushin atë që kanë nënshkruar. Na vjen keq, do të duhet ta përmbushni”, tha Vuçiq.

Për propozimin e “pesëshes” Vuçiq u shpreh se është “bazë solide” dhe se është i gatshëm “të fillojmë zbatimin menjëherë”.

Nuk kam thënë se nuk kam pasur probleme, por nuk është kjo gjëja, jam gati të nënshkruaj çfarë të duash, nga gjithçka që duhet të përmbushim, përveç këtyre që thashë – prania e Kosovës në OKB-ja dhe çështja e pavarësisë së Kosovës, integriteti territorial Kosovë, jo, gjithçka tjetër – po”, tha presidenti serb.

Lajme të ngjashme