Alarmon farmacistja kosovare: Mos kërkoni antibiotikë pa recetë të mjekut
Në Kosovë përdoren me të madhe antibiotikët. Janë disa profesionistë shëndetësor që vazhdimisht apelojnë tek prindërit sidomos, që mos t’u japin fëmijëve të tyre antibiotikë pa recetë.
Farmacistja kosovare Laureta Berisha-Kosumi ka shkruar për këtë dukuri të keqe.
“Për kohë të gjatë mundohem të ngre këtë shqetësim e të ngritët vetëdija që të që të mos jepen, të mos kërkohen e as të mos përdoren antibiotikët pa recetë, sepse kjo është në të mirën e shëndetit tuaj e në të mirën e shëndetit të tërësishëm të popullatës, ndërsa mënyra se si të sheh klienti në barnatore kur i thua që duhet të ketë recetën është e si të shihte një "armik" që po ua ndalon "mjekimin e shërimin" dhe po ua ndalon marrjen e barit”, ka shkruar ajo.
“Fjalët si:" Prej kur e paskeni bo këtë rregull, a po mendon që unë du me dëmtu veten, ani ngjitni letrat n'xhama që si japim kto barna" etj, e deri te mësimet se "As paracet s'guxon me dhonë pa recetë, tash kishe do po i nalim mos mi dhonë" janë mendime të rrezikshme për vetë shëndetin e tyre dhe janë pengesë e madhe në kryerjen e punës tonë profesionale”, ka vazhduar tutje.
Ajo ka treguar edhe për rolin e antibiotikut.
“Antibiotikët nuk ndikojnë në gjendjet virale (siç është tani periudha e gripit sezonal) por ndikojnë në gjendjet bakteriale, të cilat vlerësohen përmes analizave përkatëse. Jo, s'është qëllimi im e as i asnjë profesionisti mjekësor që të jetë kundër jush, kundër shëndetit tuaj por përkundrazi, është e tëra në ruajtjen e shëndetit tuaj dhe shëndetit të tërësishëm të popullatës, sepse po vie koha që edhe për infeksionet më të vogla të mos reagojnë fare antibiotikët nga rezistenca e madhe e krijuar”, thotë ajo.