Akuza të rënda në drejtim të Aeroportit Limak, Albin Kurtit, Hekuran Muratit dhe Mytaher Haskukës
Marrëdhënia mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kompanisë turke Limak, e cila e ka nën menaxhim aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nuk ka qenë e mirë. Së paku, sa partia e kryeministrit Albin Kurti ishte në opozitë. Ndërsa tash në drejtim të Kurtit dhe ministrave e zyrtarëve të partisë së tij ka shkuar një akuzë e rëndë nga ana e një qytetari.
Arlind Imeri, një qytetar, ka shkruar një status, në të cilin ka akuzuar me emër dhe mbiemër kryeministrin Albin Kurti, ministrat Hekuran Murati e Liburn Aliu dhe Mytaher Haskukës, ish-kryetarit të Prizrenit nga LVV-ja.
Në shkrimin e titulluar “Albin Kurti, Myta që e mbytë korrupsionin dhe Limak!”, Imeri ka shkruar se një pjesë e madhe e punonjësve të aeroportit, kanë pasur pritshmëri të mëdha nga kryeministri Kurti. E pastaj z. Imeri ka listuar pretendimet e tij rreth kompanisë Limak.
“Në mendje mund të ju vij pyetja se pse kjo kompani është kriminale!?
Epo është kriminale për shumë arsyje, e disa nga to janë:
1. Në formë kriminale kishin larguar kompaninë e derivateve British Petrol BP dhe kishin vendosur që aty ta sillnin kompaninë ExFis.
2. Përmes korrupsionit kishin arritur që të mos përmbushnin kontratën PPP me Qeverinë e Kosovës.
3. Kishin filluar largimin masiv të punëtorëve.
4. Kanë rrezikuar sigurinë kombëtare dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj tyre
E shumë veprime të tjera kriminale të cilat i kemi përmend vazhdimisht.” – shkroi ai në postimin e tij.
Pasi listoi dyshimet dhe pretendimet e tij, z. Imeri ka pasur akuza të rënda për disa zyrtarë të LVV-së e të Qeverisë Kurti, përfshirë vetë kryeministrin Albin Kurti. Në postimin e tij, z. Imeri ka përmendur me emër edhe ministrin Murati dhe Aliu, dhe deputetin e VV-së, Driton Hyseni dhe Haskukën, që është anëtar i LVV-së.
“T'i ktheheni prap Kryeministrit Kurti dhe LIMAK...
Njëri nga njerëzit më të zëshëm kundër LIMAK dhe krimeve të tyre në Kosovë ishte Ministri i Financave z. Hekuran Murati, i cili në atë botë kishte hartuar edhe një raport nuk argumentuar se pse Qeveria e Kosovës do duhej të ndërpriste kontratën me LIMAK. I njëjti kishte bërë ekzekutimin e mjeteve në momentin që ka ardhë në qeveri. Ndërsa Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu bënte selfie në pistë, por pa respektuar as minimumin e standardeve të rregullave për aviacionin civil. Por cka e lidhë Albin Kurtin me LIMAK përveç shoqërisë me Erdoganin? Kurtin dhe LIMAK e lidhë Mytaher Haskuka! Në fakt as Mytaher Haskuka jo, por gruaja e tij Burçin Atalay Haskuka.” – shkroi tutje ai.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të aeroportit të Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës për të marrë një koment në lidhje me këto akuza të Imerit, por deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Akuzat e PSD-së...
Ndryshe muaj më parë, Nol Nushi, sekretar organizativ i Partisë Socialdemokrate, kishte publikuar një video, me anë të së cilës ai pretendonte se ministri Hekuran Murati e kursen buxhetin me veteranët, por njëkohësisht është dorëlëshuar me kompanitë e mëdha.
Në videon e gjatë 4 minuta, Nushi ka folur rreth kontratës për zgjatjen e pistës së aeroportit, duke thënë se praktikisht Qeveria e Kosovës po ia falë 34 milionë euro kompanisë Limak, e cila sot udhëheq me aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
“Disa vite më parë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që në emër të disa investimeve, praktikisht t’ia falte 34 milionë euro kompanisë Limak që është pronare e aeroportit.” - thotë Nushi.

