Akuza për korrupsion, sulm fizik: Raportet e trazuara të VV-së me ambasadorët e Amerikës
Marrëdhënia e Lëvizjes Vetëvendosje me përfaqësuesit amerikan ka qenë pothuajse gjithnjë e përzier. Sulm fizik, letra kërcënuese, akuza për korrupsion – janë disa nga ngjarjet më të turpshme të VV-së në këtë histori të trazuar marrëdhënieje. Hiç më larg se sot u materializua edhe një episodë tjetër në këto raporte të luhatura mes VV-së dhe ShBA-së. Çka ndodhi?
Këtë të entje, ambasadori amerikan Jeff Hovenier u akuzua nga një deputet i VV-së për ndërhyrje në drejtësi për rastin e Devollëve dhe Telekomit të Kosovës.
Artan Abrashi, deputet i VV-së, shkroi një status në të cilin e komentoi vendimin e Gjykatës Komercial në favor të Devollit në lidhje me rastin e Telekomit.
Në fakt, z. Abrashi ka bërë një aludim jashtëzakonisht banal.
Në formë pyetjeje retorike, Abashi e ka lidhur vizitën e ambasadorit të ShBA-së, Jeff Hovenier, te biznesmeni Shkëlqim Devolli, me “zbehjen” e paanshmërisë së Gjykatës Komerciale. Pra Abrashi në një formë e akuzon ambasadorin amerikan për ndërhyrje në drejtësi.
“Sot, Gjykata Komerciale paska marrë vendim në favor të Devollit në rastin e Telekomit. Janë dy pyetje thelbësore që mund të shtrohen rreth këtij vendimi:
- Si është e mundur që pas vizitës së ambasadorit Hovenier te Devolli, Gjykata Komerciale merr vendim në favor të tyre? Mos ra në lajthitje gjykatësi nga kjo vizitë dhe iu "zbeh"paanshmëria?” – shkruan ai.
Rastet tjera
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë muajit të tensionëve në veri të Kosovës, kishte folur për marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së. Në prononcimin e tij para mediave, Kurti kishte komentuar çuditshëm Gabriel Escobarin, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor
Shefi i qeverisë së Kosovës nënvizoi se kur emisari Escobar i “kërkon diçka” në raport me Serbinë, atëherë ai e mendon mirë atë çështje.
“Kur SHBA-ja kërkon diçka në kuadër të marrëdhënieve bilaterale, ne nuk kemi kurrfarë dileme të themi po, mirëpo kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me raportet tona me Serbinë atëherë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm por normalisht gjithnjë të jemi bashkëbisedues, konstruktiv e të përkushtuar.” - deklaroi Kurti.
Perveç aksioneve simbolike kundër ambasadorëve amerikanë, peticioneve online ku kishin kërkuar largimin e Greg Delawie, Vetëvendosje kishte përdorur një herë edhe forcën kundër ambasadorëve amerikanë.
LVV e kishte sulmuar fizikisht Tracey Ann Jacobson, teksa ajo ishte penguar fizikisht nga protestuesit e Vetëvendosjes për të hyrë në ndërtesën e Kuvendit, ku po zhvillohej një seancë e rregullt parlamentare.
“Vëzhguesit tjerë dhe deputetë janë sulmuar në të njëjtën mënyrë, gjersa tentonin të hynin në ndërtesë”, thuhej në njoftimine ambasadës amerikane.
Për diplomaten Ann Jacobson ishte papranueshme gjuha e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj shtetit të saj. Ambasadorja fliste për një letër, që, sipas saj, lideri i LVV-së, Albin Kurti e kishte kërcënuar aleaten me të madhe të Kosovës, ish-Sekretaren Albright.
Diplomatët amerikanë, Lëvizja Vetëvendosje, i kishte akuzuar edhe më herët për korrupsion. Një rast i tillë ishte me ish-amabsadorin amerikan në Kosovë, Christofer Dell.
Vetëvendosja e Albin Kurtit e kishte akuzuar Dell-in akuzuar për korrupsion e ndikim në kontratën për "Rrugën e Kombit", të cilën e kishte fituar "Bechtel-Enka", një kompani amerikano-turke.
“I bëj ftesë, nga kjo foltore, edhe Kryeministrit të kësaj qeverie, që të tregojë se sa ka qenë roli dhe çka e detyroi qeverinë e Kosovës të nënshkruajë një kontratë të tillë, e cila po rezulton të jetë shumë e dëmshme për Kosovën, dhe po ashtu i bëj ftesë edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu, përmes Departamentit të Shtetit, që të merren më seriozisht me këtë punë dhe të na tregojnë se cili ka qenë roli i zotit Dell në këtë kontratë, dhe përgjithësisht në Kosovë, sepse e dimë se ndërhyrjet e tij në politikën e Kosovës kanë qenë të shumta. Pra, nëse ai ka pasur ndikim në nënshkrimin e kësaj kontrate nga pozicioni zyrtar i Amerikës, atëherë ne duam të dimë se në çfarë baze dhe si e ka bërë këtë punë”, kishte thënë ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në një seancë parlamentare.

