Aktakuza ndaj Gërvallës: Çfarë pasurie kishte deklaruar në APK?
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla në lidhje me raportimin e pasurisë së saj. Por, çfarë pasurie kishte deklaruar ajo?
Betimi për Drejtësi ka njoftuar se ndaj kryediplomates së Kosovës është ngritur aktakuzë për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Kjo gazetë kishte raportuar se znj. Gërvalla nuk kisthe deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore dhe ndërkombëtare.
Ajo nuk kishte treguar se posedonte biznes në Gjermani, se ishte drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe nuk e kishte deklaruar as pasurinë e burrit dhe të fëmijëve të saj.
As Gërvalla por as kryeministri Albin Kurti deri tash nuk kanë komentuar ngritjen e aktakuzës.
Pasuria e deklaruar
Gërvalla është mes zyrtarëve publikë që e kanë deklaruar pasurinë edhe për vitin 2023 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (e njohur më parë, si Agjencia Kundër Korrupsionit).
Ajo në seksionin e Pasurisë së Paluajtshme, kishte deklaruar një shtëpi, një pyll, një arë dhe një truall. Por, e gjithë kjo sipas saj ka vlerën e vetëm 125 mijë eurove.
Po ashtu, znj. Gërvalla e ka deklaruar edhe një veturë Toyota në vlerë prej 7 mijë eurove.

Sa i përket bizneseve, ajo ka deklaruar se është pronare e një biznesi “Alblingua UG”.
Gërvalla ka qenë një prej ministreve më të kritikuara në Qeverinë Kurti, ndër tjerash, edhe për shkak të mbrojtjes së madhe që i kishte bërë ambasadorit Martin Berishaj, i përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni.
Po ashtu, ajo është kritikuar edhe për emërimin e tij.
Ministrja Gërvalla ishte kritikuar shumë edhe për punën e saj në ministri të Punëve të Jashtme, veçanërisht për mungesën e njohjeve për Kosovën si dhe për huqjet e shumta.

