Aksident mes një autobusi e një furgoni në Afrikën e Jugut, 20 të vdekur
Njëzet persona kanë vdekur të hënën nga një aksident kokë më kokë mes një autobusi dhe një furgoni për transportimin e të hollave të hënën në një rrugë të provincës veriore të Afrikës së Jugut, Limpopo, ndërsa dhjetëra të tjerë janë dërguar në spital, thanë zyrtarët e transportit.
Pas aksidentit, autobusi ra nga një urë dhe ra në lumë, tha një kompani për shërbime urgjente mjekësore, raporton agjencia “Reuters”.
“Tre persona u gjetën të vdekur pranë rrugës dhe 16 poshtë në lumë. Një pacient, nga 69 pasagjerët e dërguar në spital për lëndime të ndryshme, tashmë ka vdekur”- thuhet në një deklaratë.
Departamenti i Transportit në Limpopo tha se aksidenti ndodhi rreth orës 17 të hënën dhe se në autobus kishte pasagjerë nga qyteza Makhado, të cilët po shkonin drejt zonave të distriktit Vhembe.
Ky departament tha në një deklaratë se zhytësit e policisë janë dërguar në vendin e ngjarjes për të vërtetuar se ndonjë trup nuk është marrë nga uji i lumit.
Kompania e shërbimeve emergjente tha se policia është duke i hetuar rrethanat e aksidentit dhe se në zonën ku ndodhi rasti, kishte reshje të dendura të shiut. Një zëdhënës i policisë lokale nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
