AK-47, granata dore, breshëri plumbash – gjithçka çfarë dihet për sulmet ndaj Policisë në veri
Për tri ditë, katër sulme të armatosura kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Për t’i kryer këto sulme u përdorën duke nisur nga iriqët metalikë, automatikët AK-47, granatat e dorës, e armë të tjera. Të gjitha këto detaje i zbardhën në një konferencë për media drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.
Në një konferencë të jashtëzakonshme i ftuan mediet qysh në orën 10:00 të mëngjesit. Arsyeja ishte për disa sulme radhazi që u kryen ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, nga strukturat kriminale serbe në veriun e vendit. Madje, në këtë konferencë, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, sulmet ndaj policëve i quajti si akte terroriste.

“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”, ka thënë Sveçla, shkruan gazeta Nacionale.
KATËR SULME PËR TRI DITË
Sulmi i parë – u vendosën iriqa metalikë në rrugën nacionale me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës, në pika kufitare.
Sulmi i dytë – gjuajtje me gurë në drejtim të veturës së Policisë së Kosovës
Sulmi i tretë – në afërsi të punktit policor që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale për kontrabandë, është gjuajtur me armë zjarri.
Sulmi i katërt – dy vetura të policisë janë qëlluar me armë zjarri e granata dore, përderisa po transportoheshin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.
Megjithatë, ministri Sveçla ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk është ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë. Por, ai shtoi se Kosova është e përgatitur për çfarëdo skenari.

“Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë për shkak të invazionit rus në Ukrainë dhe posaçërisht tash, pas daljes së krimeve në Ukrainë. Ne si institucione të Kosovës në vazhdimësi kemi bërë ngritjen e kapaciteteve tona së pari, jemi duke forcuar marrëdhëniet me shtetet mike, demokratike. Pastaj edhe në aspektin e kapaciteteve operacionale të Policisë. Nuk i frikësohemi asnjë skenari të Serbisë, jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari të Serbisë, duke pasur parasysh edhe përkrahjen nga vendet mike. Unë mendoj se qëllimi i Serbisë nuk është në këtë moment ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën. Situata në Kosovë në përgjithësi është stabile, falë institucioneve të sigurisë së Kosovës”, u shpreh Sveçla.
DETAJET E DREJTORIT
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë detaje për këto sulme, duke thënë se në vetura kur kanë ndodhur sulmet ka pasur edhe policë serbë.
“Prej datës 13 e deri më sot kemi pasur sulme te organizuara e të sinkronizuara ndaj policisë së Kosovës. Vendet ku janë bërë sulmet janë shumë afër njëra-tjetrës. Kjo na bën me dije se kjo ka të bëjë më një grup të organzimuar që dëshiron ta pengojë policinë e Kosovës dhe t’i pengojë aksionet tona. Me datë 13.4.2022 rreth orës 07:30 në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok, policia e Kosovës ka hasur në rrugë një metal që shërbën për t’i penguar automjetet. Të njejtën ditë, në 21: 45, njësia e policisë kufitare në fshatin Davidovc, pasi e kreu ndërrimin është sulmu automjeti i patrollës me gurë. Sulmi i tretë në vendin që quhet Pragovës - janë dëgjuar 4 ose 5 rafale të shkurtra, diku rreth 30 fishekë. Gjuajtjet kanë ndodhur ne distancë 200-300 metra. Sot në 7:40 janë sulmuar automjetet e blinduara. Në vendin e ngjarjes deri më sot janë gjetur gëzhojat", ka sqaruar Mehmeti për sulmet.

Mehmeti tregoi pse nuk u përgjigjën zyrtarët policorë me armë zjarri ndaj këtyre sulmeve.
“Policët kanë ra në pritë dhe mundësia me reagu me armë nuk ka qenë. Nuk kanë reaguar me armë, por kjo nuk do të thotë që Policia nuk do t'i shtojë të gjitha masat, dhe nuk do t'i përdorë të gjitha njësitë për të kryer punë”, deklaroi Mehmeti.
PËR ÇKA FOLI, E PËR ÇKA JO, SVEÇLA?
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk pranoi të flasë për tema të tjera në konferencë për media. Ai nuk u përgjigj në interesimin e mediave për rastin Dehari. “Do të flasim vetëm për temën”, tha ministri.
Madje, ai u nervozua kur e pyetën për punësimin e motrës së tij në Ministrinë e Bujqësisë. “Kemi thirrur konferencë të jashtëzakonshme për sulmin në veri, ndërsa ju pyesni për budallallëqe të tilla’’, tha ai.
Pavarësisht se tha që nuk flet për tema të tjera, ministri Sveçla ia dha një rend për dialogun dhe marrëveshjen për targat që pritet të skadojë pas më pak se një jave. “Do të takohemi me ekipet e ekspertëve, dhe synimi është që të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke të targave”, tha Sveçla.

Për temën e njëjtë, drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha se kanë hartuar një plan operativ për pjesën veriore, nëse nuk ka marrëveshje për targat.
Ministria e Brendshme ka publikuar edhe pamjet nga këto sulme.
REAGIMET
I pari që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se këto sulme duhet t’i shqetësojnë të gjithë.
“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi, e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar Haradinaj.
Një reagim ironizues e pati edhe analisti Blerim Latifi.
“Katër sulme të armatosura mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë brenda tri ditësh. Informatat thonë se sulmuesit kanë shtënë nga territori serb, por, siç do të thoshte Edi Rama, s'ka nevojë për shqetësim, sepse edhe këto sulme duhet të shihen në kuadër të vetëmbrojtjes së Serbisë”, ka shkruar Latifi.