Ahmeti: Pa një pajtim shqiptaro-serb, dëmtohet stabiliteti; Serbia ta njohë përfundimisht Kosovën shtet - NACIONALE

Ahmeti: Pa një pajtim shqiptaro-serb, dëmtohet stabiliteti; Serbia ta njohë përfundimisht Kosovën shtet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërkohë që Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Maqedonisë së Veriut, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, foli për rolin e Bashkimit Evropian në ndërtimin e një kohezioni më të fortë në rajon, gjatë një bashkëbisedimi në Klan Kosova me gazetarët Adriatik Kelmendi, Berat Buzhala e Blendi Fevziu. Ai theksoi se për të arritur siguri dhe stabilitet në rajon, është e nevojshme një marrëveshje e qëndrueshme shqiptaro-serbe.

Ahmeti foli me pasion për perspektivën e Bashkimit Evropian dhe nevojën e një pajtimi shqiptaro-serb për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Bashkimi Evropian, iniciativa e parë ka qenë për tu sofistikuar qëllimi, janë bashkuar korporatat e qymyr-gurit dhe çelikut, dhe nga korporatat e energjetikës së qymyr-gurit dhe çelikut buroi Bashkimi Evropian që ne sot të gjithë po angazhohemi të jemi pjesë e këtij Bashkimi.” - tha Ahmeti.

“Kështu që pa një pajtim shqiptaro-serb është i lënduar stabiliteti dhe siguria jo vetëm në Kosovë dhe në Serbi por edhe më gjerë” - tha kreu i BDI-së.

Më tej, Ahmeti diskutoi për disa hapa prezantoi për arritjen e këtij pajtimi, duke përfshirë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Duhet përfundimisht që Serbia ta njohë Kosovën si shtet, Kosova duhet ta zë vendin e merituar në të gjitha institucionet ndërkombëtare, në Organizatën e Kombeve të Bashkuar, të mos ketë pengesa, të njihet nga vendet e BE-së”. - tha ai.

Ai shprehu bindjen e tij se Maqedonia e Veriut mund të shënojë një kthesë pozitive drejt një të ardhmeje të sigurtë dhe të qëndrueshme, duke sfiduar vuajtjet e së kaluarës dhe duke ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme dhe të përparuar për të gjithë qytetarët e saj.

“Mos t’i kemi vuajtjet që ne si gjenerata që i kemi përjetuar. Gjeneratat e reja nuk e dinë se si jemi shkolluar e torturuar, por sot shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i kanë tre universitete”. - pohoi ai.

“Në Shkup, në kazermën e Mlladiqit është Universiteti ‘Nënë Tereza’. Në Kumanovë, në kazermën e Mlladiqit, është Universiteti i Tetovës, i vetmi universitet që është hapur me dëshmorë”, deklaroi Ahmeti.

Lajme të ngjashme