Aferat "Vaji" dhe "Gruri", ministria e Hajdarit i quan incizimet "tendencioze dhe të pavërteta"
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka reaguar pasi Gazeta Nacionale, pas aferës “Vaji”, gazeta Nacionale sjell ekskluzivisht audi-incizime të reja në Ministrinë e Rozeta Hajdarit. Kësaj radhe tema është e njëjtë, për blerjen e mallrave në rezervën shtetërore. Ndryshon vetëm produkti. Nga vaji, tash është afera “Gruri”.
MINT-i, përmes një reagimi në Facebook, ka mohuar akuzat për keqpërdorim të Rezervave Shtetërore, duke i quajtur audio-incizimet e publikuara nga gazeta Nacionale si tendencioze dhe të pavërteta.
"Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj", - thuhet në reagimin e MINT-it.
MINT ka theksuar më tej se të gjitha procedurat për furnizimin me mallra për rezervën shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi.
"Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinion publik se, të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Ligjin Për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2022, Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/65 të datës 26.02.2022."
“Afera e grurit”
Kujtojmë se nga përgjimet e sotme të publikuara nga Nacionale, sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Kjo duket se kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet disa zyrtarëve në Ministrinë e Rozeta Hajdarit.
“Unë i kam thanë nuk e paguaj për qetë punë për qetë punë, se tash ky shpediteri ky që e ka pas (nuk kuptohet) e ka pasur edhe shpedicionin, ai thojke e kam pru, shpediteri thojke mungojnë 9 tonë, këta thojshin mungojnë pak ma shumë, se aty në kontratë thuhet se duhet me i sjellë 10 mijë tonë me nen nuk duhet me humb asnjë pike rrugës”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë.
Krejt përgjimi tregon për zyrtarin Enver Hajruallahu që me pozitë është certifikues. Ndaj tij kishte presione të mëdha për ta nënshkruar kontratën rreth grurit, edhe pse disa ton mungonin. Certifikuesi nuk pranonte ta nënshkruante. Në reagimin e MINT-it nuk ka asnjë sqarim rreth kësaj çështje.
Kjo kishte shkaktuar tension në MINT. Madje, zyrtarët që bisedojnë bëjnë të ditur se kishte pasur rrezik edhe për një përplasje fizike ndërmjet Hafizit dhe ministres Hajdari.
Zyrtarët e konfirmojnë se disa nga veprimet kanë qenë të jashtëligjshme.
“Fol ti drejtor që vën vendime të jashtëligjshme”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë me një tjetër.
“Edhe tani hiq, para dy tri jave një muaje, fytas e kemi qu me ministren, ma Hafizi ke tu e rre”, thuhet në bisedë.