Afera “Zdravo”, përleshja në Kuvend e marrëveshja për veriun – Ngjarjet kryesore të javës
Java që po lëmë pas është karakterizuar me një temë të vetme: incizimet e publikuara ekskluzivisht nga gazeta Nacionale e ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, duke biseduar me deputetin serb, Slavko Simiq.
Në këto biseda, Kusari-Lila e konfirmon se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryekriminelin, Milan Radojiçiq. Edhe pse Kusari-Lila fillimisht e mohon komunikimin, ajo më pas thotë se “Slavko ia ka lëshuar në interfon”.
Në këtë bisedë dëgjohet shefja e deputetëve të VV-së duke biseduar për miratimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për ligjin e pagës minimale dhe veteranëve, e ofendon nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismailin, duke e quajtur “idiot patetik”, si dhe e përmend Ramush Haradinajn e Bekim Haxhiun.
Krejt kjo situatë ngjalli shumë reagime të cilat kulmuan me një përleshje fizike të enjten në Kuvendin e Kosovës. Aty fillimisht opozita vendosi në hapësirat e Kuvendit disa pankarta “Zdravo, kurse kur doli të flas kryeministri, deputetja Ganimete Musliu e vendosi një fotografi të Kurtit si Pinokio.
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, doli në foltore dhe e largoi fotografinë. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i lagu me ujë Kurtin e Bislimin, ku më pas ky i fundit e goditi me shishe deputetin e PDK-së. Në këtë moment gjithçka eskaloi në një përleshje fizike.
U përfshinë deputetët Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu e Mërgim Lushtaku, kurse nga kabineti zv/kryeministri Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Pikërisht në atë seancë pas largimit të opozitës, pushteti miratoi disa pika në seancë, në mesin e tyre edhe Ligjin për Pagën Minimale duke përjashtuar veteranët. Afera “Zdravo” e publikuar nga Nacionale dhe lënia jashtë e veteranëve nga rritja e pagës minimale, bëri që veteranët të dalin të protestojnë gjatë ditës së djeshme.
Protesta u mbështet nga PDK-ja, AAK-ja, Nisma e PSD-ja. Kësaj i parapriu një status skandaloz i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili protestën e veteranëve e lidhi me ndikimin hibrid serb në Kosovë dhe protestën në Beograd.
Gjithashtu, gjatë kësaj jave u dakordua marrëveshja edhe për qetësmin e situatës në veri. Këto ishin pikat e dakorduara, për të cilat zv/kryeministri Bislimi do të shkojë në Bruksel këtyre ditëve:
Fokusi kryesor i takimit tё djeshёm nё Bratisllavё me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Nё kёtё kontekst jemi dakorduar sa vijon:
• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.
• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.
Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore