Afera “Gruri” e vendimi i Komerciales për Klan Kosovën – Ngjarjet kryesore të javës - NACIONALE

Afera “Gruri” e vendimi i Komerciales për Klan Kosovën – Ngjarjet kryesore të javës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe java që po mbetet pas është karakterizuar me shumë zhvillime të cilat kanë sjellur reagime të shumta. Duke nisur nga protesta e gazetarëve për Klan Kosovën e deri te vendimi i Gjykatës Komerciale. Nga afera e Grurit, e deri te tërheqja edhe e 25% të Njësive Speciale nga objektet komunale në veri. Nacionale sjell detaje.

Pas aferë “Vaji” ku u paguan me mijëra euro për rezervën shtetërore e vaji nuk erdhi, gazeta Nacionale gjatë kësaj jave ka publikuar incizime të reja që ndërlidhen po me ministrinë e Rozeta Hajdarit. Aty dëshmohet presioni mbi një zyrtar certifikues, që ta nënshkruajë pranimin e grurit për rezerva, edhe pse kishte një sasi rreth 9 tonë që mungonte.

Një certifikues me emrin Enver Hajrullahu ishte në hall të madh kohë më parë. Ai nuk po prantonte ta hidhte firmën në disa dokumente të cilat konfirmonin pranimin e grurit për rezervën shtetërore, pasi 9 tonë nga kontrata e nënshkruar po mungonin.

Edhe me probleme shëndetësore e duke u trajtuar në spital, Hajrullahu thirret në një takim në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë për ta diskutuar këtë situatë. Aty, situata ishte “një llugë e madhe”.

Kështu të paktën e përshkruan vetë Enveri në incizimet që i ka publikuar gazeta Nacionale. Fillimisht ministrja Hajdari iu kap certifikuesit lidhur me faktin që ai nuk po e nënshkruante. E më vonë, pasi që Drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, i jep të drejtë certifikuesit, Hajdari kapet me pjesën tjetër të stafit përfshirë sekretarin.

Enveri ishte i gatshëm ta lëshonte punën, e të mos e nënshkruante atë dokument. Këtu përmendet edhe drejtori i Thesarit tash guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

“Për mos me dalë jashtë, qe ku o sekretari unë du me vepru veç sipas ligjit. Ndaq përjashtomni, ndaq bëni çka doni. Prit ta thirri drejtorin e Thesarit, e ka thirr Ahmet Ismailin. Llugë u ba, si me kanë në Rusisë. Vështirë e kam pasë”, thuhet në këto incizime të publikuara nga Nacionale.

Fillimisht, drejtori i Thesarit i thotë ministres Hajdari se pagesa duhet të kryhet. Por pasi bisedon me certifikuesin Hajrullahu, guvernatori tash i Bankës Qendrore ndërron mendje.

“Duhet me u ba ajo pagesë drejtor. I thashë po ndërhyj po ta shpjegoj më gjerësisht. O bab u bo llugë. Për këtë punë tha qysh pe shpjegon certifikuesi, ju duhet me vlerësu punën e tij”, citohet t’i ketë thënë drejtori i Thesarit ministres në këto incizime.

E kjo ishte mollë sherri që ministrja Hajdari të kapet pastaj me stafin e saj.

“O sekretar qysh s’je përgjigj, e t’u kapen mes veti. Çka ka faj certifikuesi, plus njeri i sëmurë, ke thanë so i sëmurë”, thuhet aty.

Por, pse u përmend drejtori i AKI-së?

Në bisedë, certifikuesi Hajrullahu e përmend drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, dhe një mesazh që ai e ka dërguar.

“E u ndal ajo, plus drejtori i AKI-së po shkruan drejtpërdrejt (nuk kuptohet) – Edhe po i thotë, veç pak ministre për këtë punë qysh pe shpjegon certifikuesi jo që jeni duke i ba presion, por duhet me vlerësu punën e tij”, thuhet në incizime.

Certifikuesi i citon shpediterët të cilët thonë se nga gruri i ardhur, mungojnë 9 tonë sipas kontratës.

“Komisioni po thotë mungon qekaq. Te pranim-dorëzimi nuk ka pasur njerëz të ministrisë. Jo tha janë kanë doganierët. O Hafiz i thashë kryeministri i coj në burg 30 doganierë. Unë du me i pra raportet. Këta e kanë pranu vec që kanë ardhë në Kosovë, jo te anija. N’kontratë transportuesi ka pasur me i pru 10 mijë tonë, s’ka pasur me hup asnjë gramë. Shpediteri po thotë mungojnë 9 tonë, e ai po thotë mungojnë ma shumë”, thuhet në audio.

Këto incizime kanë shkaktuar reagime të shumta, përderisa Ministria e Tregtisë duke u thirrur në informacionet konfidenciale, nuk ka dhënë asnjë detaj nëse vaji ka ardhur, dhe gruri është pranuar në sasi të plota.

Në vend të kësaj ministrja Rozeta Hajdari ka vendosur ta padisë gazetën Nacionale, gazetarin Berat Buzhala dhe zyrtarin certifikues Enver Hajrullahu. Pra, ministrja ka vendosur të ushtrojë padi ndaj zyrtarit i cili nuk ka pranuar ta nënshkruajë kontratën pa ardhur malli.

Një tjetër ngjarje shumë e rëndësishme gjatë kësaj jave ka qenë vendimi i Gjykatës Komerciale për Klan Kosovën. Kjo gjykatë e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës dhe i ka vendosur masë të përkohshme vendimit të MINT-it. Kjo pasi Komecialja ka gjetur se Klan Kosova i ka bërë ndryshimet e nevojshme, për të cilat pushteti e mohonte.

Poashtu veriu vazhdon të jetë temë e “nxehtë”. Pas marrëveshjes në Bratisllavë, nga objektet komunale në veri janë tërhequr edhe 25% e Njësive Speciale. Është krijuar edhe një grup punues për ta hartuar një udhëzim administrativ lidhur me procedurat e shpalljes së zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Lajme të ngjashme