Adriatik Kelmendi dhe Astrit Gashi kapen për 'kaubojkat' e ministër Latifit - NACIONALE

Adriatik Kelmendi dhe Astrit Gashi kapen për 'kaubojkat' e ministër Latifit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“Mos i shiko gunën, por shikoji punën!” – është një ndër fjalitë e popullit që ka futur në sherr dy analistë gjatë ditës së sotme.

Bëhet fjalë për Astrit Gashin dhe Adriatik Kelmendin.

Ky i fundit e bëri një koment në lidhje me stilin e veshjes dhe mbathjes së ministrit të Shëndetësisë, z. Rifat Latifi. Ose më saktë, kombinimin e tyre.

Kelmendi pretendoi se “kaubojkat”, ose këpucët me majë për të cilat është bërë i njohur ministri, nuk “vishen me tesha kat dhe me kravatë flutur”.

Ai veshjen e z. Ministër e ka cilësuar si “kiç vizuel” duke nxitur reagimin e analistit Gashi.

Ky i fundit nuk është marrë me ‘gunën’ e z. Latifi duke e cilësuar si “figurën më reprezentative të Qeverisë Kurti”. Prit, a s’është Albini më reprezentativi?

Gashi e ka cilësuar z. Latifi si “të vetmin ministër me përvojë “profesionale e jo partiake” duke i dalë kundër e madje edhe duke sulmuar komentin e z. Adriatik Kelmendi.

Sidoqoftë, puna e Latifit – për dallim nga guna – nuk duket të jetë shumë e madhe deri tash. Latifi kishte marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë më 14 nëntor të vitit të kaluar, duke e zëvendësuar Arben Vitinë, i cili për një pjesë të analistëve u bë i njohur si “z. Mindili” për shkak të mindilit që e vendoste në pjesën e sipërme të xhaketës së tij.

Në anën tjetër, gazetarja Saranda Ramaj – që ditë më parë kishte udhëtuar drejt Lvivit të Ukrainës – kishte kritikuar veten pas (sic) mospunës së ministrit.

“Ne vitin 2017 kam qene e bindur qe ministri ma i dobet i shendetesise najhere ne Kosove do te mbetet Imet Rrahmani. S’e di, nashta jam ngute” – tha ajo.

Se a na flet guna diçka për punën, është e vështirë të thuhet e megjithatë ajo nuk resht së qeni e komentuar dhe e intepretuar në sferën publike.

Një tjetër politikan nga diaspora që po merr vëmendje të madhe publike për qasjen “e avashtë” në punë, është edhe kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama.

Gazeta Nacionale kishte përgatitur një shkrim para disa ditësh në lidhje me politikanët nga diaspora, dhe të cilin ju ftojmë ta lexoni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme