Abuzim i skajshëm me paranë publike: Qeveria në detyrë miraton pakon ekonomike të refuzuar nga Kuvendi dhe emëron zëvendësministra
Qeveria në detyrë po vazhdon të funksionojë sikurse është qeveri me mandat të plotë. Ndonëse nga shpërndarja e Kuvendit është qeveri me mandat të kufizuar, kryeministri Albin Kurti nuk po e ndal dorën me vendime që shkaktojnë implikime të mëdha buxhetore.
Vetëm gjatë ditës së sotme, qeveria e tij ka miratuar një pako ekonomike, e cila nuk ishte përkrahur në Kuvend, dhe ka emëruar një zëvendësministër të ri.
Këto veprime po konsiderohen në kundërshtim më Ligjin për Qeverinë, i cili kufizon qartazi mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare.
Demokracia në Veprim ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme të qytetarëve, vetëm pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje ligjore.
Përmes një komunikate për media, DnV ka vlerësuar se ky përmban rast klasik të keqpërdorimit të resurseve publike në periudhë zgjedhore.
“Për më tepër, shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet. Legjislacioni zgjedhor qartazi ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë ose mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve. Ky parim vlen për secilën formë, përfshirë përdorimin e buxhetit të shtetit, por edhe përdorimin e automjeteve, zyrave dhe administratës publike gjatë fushatës – për të krijuar përfitime elektorale”, ka vlerësuar DnV-ja.
Sipas kësaj organizate, vendimi i sotëm i Qeverisë paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë.
“DnV rikujton që Kuvendi i Kosovës nuk kishte miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin, në kuadër të së cilit ishin paraparë mjete për një pako të tillë financiare. Prandaj, në këtë drejtim ky vendim paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon qartazi mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare, sidomos kur ato nuk burojnë nga planifikimi i rregullt vjetor dhe nga buxheti aktual. Kjo situatë bëhet edhe më problematike nga fakti që ndihma financiare shpërndahet në mënyrë të përgjithshme dhe pa ndonjë situatë emergjente të re që do të arsyetonte masa të tilla urgjente. Kjo e bën të vështirë ndarjen ndërmjet politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale, pasi që mbështetja për qytetarët duhet të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme, të planifikuara dhe të trajtuara përmes procedurave të rregullta institucionale, e jo përmes vendimeve të improvizuara në prag të zgjedhjeve”, ka vlerësuar DnV.
Në të njëjtën ditë, Kurti ka marrë edhe vendime tjera.
Ndonëse zgjedhjet e reja do të mbahen me 7 qershor, ai po vazhdon të emëroi zëvendësministra.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot Kurti ka emëruar Driton Hyseni në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në legjislaturën e kaluar, Hyseni ka qenë deputet i VV-së.
Edhe në javët e kaluara, Kurti ka vazhduar me avazin e emërimit të zëvendësministrave.
Para një jave, Kurti brenda ditës ka emëron 3 zëvendësministra të rinjë, të gjithë zyrtarë të VV-së.