Abdixhiku pasi Murati tha çmimet janë normalizuar: Një tjetër përpjekje mashtrimi - rritja vazhdon - NACIONALE

Abdixhiku pasi Murati tha çmimet janë normalizuar: Një tjetër përpjekje mashtrimi - rritja vazhdon

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj pretendimeve të pushtetit, më saktësisht të ministrit të Financave, Hekuran Murati, se çmimet janë normalizuar.

Abdixhiku ka thënë se kjo është një tjetër përpjeke e pushtetit për të mashtruar, pasi sipas tij çmimet nuk janë normalizuar.

Ai ka thënë se çfarë është blerë më 105 euro në muajin shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127 euro.

Pushteti na thotë se çmimet janë normalizuar. Një tjetër përpjekje mashtrimi. Po ja u vizatoj. Çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127. Dhe rritja vazhdon. Sepse paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje. Burimi: Agjencia e Statistikave, nga vet zyra e Kryeministrit.” – ka shkruar Abdixhiku.

Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ka normalizim të çmimeve.

Murati tha se disa çmime vazhdojnë të jenë të larta për shkak se LDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ligjin që do të mirrej me çmimet.

Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Nafta tashmë është kthyer në nivelin 1.15-1.25 euro/litër, e njësoj kanë filluar të bijnë edhe çmimet e produkteve tjera. Një litër vaj ushqimor tani mund të blihet edhe me 1.20 euro, kurse gruri ka prekur nivelin e para disa viteve me 0.22 euro/kg. Megjithatë, ka ende shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët. Kjo gjë do të rregullohej me Ligjin për Çmimet Tavan, por ja që LDK e ka dërguar në Kushtetuese për ta bllokuar. Me sa duket, për ta më e rëndësishme është rritja e fitimeve për tregtarët sesa mirëqenia e qytetarëve.” – ka shkruar Murati në Facebook.

Lajme të ngjashme