Abdixhiku shpreh ngushëllime: Jam në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Pejës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka shprehur ngushëllme familjarëve të nënës dhe fëmijës së saj që mbetën të vdekur si pasojë e vërshimeve të mëdha që ngjanë mbrëmë në qytetin e Pejës.
Abdixhiku e quajti ngjarje tragjike humbjen e jetëve ndërsa edhe të lënduarve të tjerë nga fatkeqësia natyrore u uroi shërim të shpejtë.
Ai ka treguar se është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, për këtë rast.
“U bëj thirrje institucioneve qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror të iu dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet. Institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë,” - citoi LDK-ja kryetarin e saj.
Tutje, Abdixhiku ka falenderuar të gjitha institucionet relevante - nisur nga FSK-ja - për angazhimin e tyre që të tejkalohet kjo situatë.