Abdixhiku për dhunën në Kuvend: Ministrat po vijnë për Tiktok dhe jo për punë
Kryetari i lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar dhunën e ushtruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se këto pamje ishin të trishta dhe i njëjti ka thënë se dhuna nuk është mjet politik për LDK-në.
“Dhuna në Kuvend nuk ka qenë e re. LDK më së miri e di se si është kur dikush e përdorë dhunën si mjet. Dhuna nuk është mjet politik për LDK-në. Ishte një ndjenjë e keqe sinqerisht. Atë ditë e vazhdova takimin me profesorët universitar si përgjigje ndaj asaj që po ndodhte.” - ka thënë Abdixhiku.
Ai tutje në Klan Kosova ka folur se Kuvendi është bërë arenë e polarizimit, i sponsorizuar nga kryeministri Kurti.
Abdixhiku tutje ka thënë se ministrat po vijnë në Kuvend për Tiktok dhe jo për punë.
“Nga Kuvendi po atakohen të gjithë, përfshirë deputetët, mediat, ambasadorët. Ministrat po vijnë në Kuvend për Tiktok. Për shou. Ministrat nuk po vijnë për të folur për punë. Për mungesën e barnave, për shembull. Ose për lehtësime biznesore, ta zëmë. Ata po vijnë për propagandë.” - ka thënë Abdixhiku.
